Google ADS

Punëtorëve u shkelen të drejtat nga fillimi i i orarit të punës e deri në mbarim të tij

08:05 | 29 Qershor 2019
Arbresh.info

Shkelja e të drejtave të punëtorëve vazhdon të jetë tejet shqetësuese pothuajse në çdo sektor.

Eksperti ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) Florent Spahija, në një intervistë të dhënë për arbresh.info flet për shkeljet e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Sipas tij, këto shkelje fillojnë nga fillimi i orarit të punës, dhe deri tek mbarimi i tij.

“Të drejtat e punëtorëve shkelen në mos dhënien e pagës me kohë dhe të drejtat e punëtorëve shkelen po ashtu edhe kur nuk iu paguhen kontributet e pensionit, pra nuk regjistrohen si punëtorë dhe punojnë në mënyrë informale”, është shprehur Spahija.

Ai thekson se në sektorin publik konkurset kryesisht janë politike ose konkurse për qëllime të caktuara, ose konkurse sa për sy e faqe ku dikush i nënshtrohet konkursit sa për të thënë që kemi realizuar ose kemi plotësuar kushtet elementare.

Spahija shton se shumica e punëtorëve në Kosovë, nuk kanë njohuri që ekziston një Inspektorat i Punës pra po flasim për sektorin privat, por edhe një pjesë e sektorit publik.

Spahija bënë të ditur se  vetëm brenda këtij viti, kanë pranuar rreth 200 raste të shkeljes së drejtave të punëtorit.

“Vetëm në këto vite që punojmë me të drejtat e punëtorëve i kemi diku rreth 400 telefonata, për çështje të ndryshme që lidhen me punën por, si raste që i kemi evidentuar nga ato telefonata, janë diku rreth 200 raste qe i kemi marrë këtë vit. Në vitin e kaluar kemi pasur diku rreth 100 raste të tilla por në këtë vit është rritë numri meqë e kemi sensibilizuar çështjen edhe më shumë ku e kemi bërë më shumë të përhapur që po ofrojmë ndihmë dhe këshilla ligjore falas për punëtorët”, u shpreh ai.

Sipas tij, shumica e ankesave janë në procedurë, por nuk ka një rezultat konkret.

“Në raste që kemi pasur me konkurse, dy prej tyre janë anuluar edhe për një tjetër jemi në pritje se çka po vendosë një organizatë komunale. Tek inspektorati jemi në pritje të vendosjes, nuk e dimë se çka kanë vendose dhe çka kanë bërë. Ajo që është më rëndësi është se palët janë inkurajua të shkojnë tutje. Ka pas raste kur ne kemi dërguar kërkesë por edhe palët kanë dërguar kërkesë drejtpërdrejt në inspektorat”, tha Spahija.

Ai e konsideron sukses nëse vetëm 20-25 për qind të rasteve na zgjidhen si të suksesshme.

Spahija vlerëson se zgjidhja e përhershme e problemit bëhet nëse secili sektor do e kishte sindikatën e vet.

“Secili sektor ta ketë sindikatën se vet të fortë dhe sindikata kishte me qenë organizate e cila kishte lobuar dhe t’i ndjekë të drejtat e punëtorëve”, tha ai./Alban Begolli/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme