Matthew Palmer thotë se duhet të gjendet mënyra që Kosova e Serbia t’i rikthehen dialogut

21:55 | 28 Qershor 2019
A. B.

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë në “pauzë” që nga nëntori i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, në një intervistë për BBC në gjuhën serbe ka thënë se është e nevojshme që të gjendet një mënyrë që dy vendet të rikthehen në tavolinën e bisedimeve.

“Taksat që i ka vendosur Kosova ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës, duhet të hiqen në mënyrë që dialogu të vazhdojë”, citohet të ketë thënë Palmer, transmeton Koha.net.

Ai nuk ka dashur të japë afate se kur do të arrihet marrëveshja për normalizim të plotë të raporteve mes dy vendeve, por ka thënë se “dëshiroj që kjo të ndodhë sa më parë”.

“Gjithçka varet se sa janë të gatshme palët që të vazhdojnë këtë rrugë – së pari të kthehen në dialog, e më pas të arrijnë marrëveshjen”, thotë Palmer për BBC-në.

Zyrtari i lartë amerikan thotë se SHBA-ja është pjesë e dialogut si partner mbështetës dhe do të bëjë gjithçka që të inkurajojë dhe t’u mundësojë të dyja palëve që të arrijnë marrëveshje.

“Kjo është në interesin e tyre, por edhe të tërë rajonit, të BE-së dhe të SHBA-së”.

Palmer thotë se SHBA-ja nuk ka pasur asnjë rol në anulimin e samitit të Parisit.

“Ne inkurajojmë autoritetet në Prishtinë që të bëjnë atë që duhet për të vazhduar dialogun, sikurse që bisedojmë edhe me autoritetet në Beograd për parametrat e marrëveshjes”.

I pyetur nëse rruga drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi mund të jetë ndonjë konferencë ndërkombëtare sikurse ajo e Rambujesë e vitit 1999, thotë se ende nuk është koha për të.

“Nuk jam i sigurt nëse ka ardhur momenti kur do të na duhet një konferencë ndërkombëtare, pasi që procesi i dialogut veçse ka filluar nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian dhe janë arritur disa përparime”, tha ai.

Palmeri nuk beson se zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të ardhshëm nuk do të ndikojnë shumë në tempon e dialogut Kosovë-Serbi, pasi, sipas tij, “kjo është konstantë gjatë shumë administratave në Washington”.

Edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, sikurse edhe shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, parasheh tensione dhe kthim të “forcave të errëta” të së kaluarës nëse rajoni nuk e shfrytëzon këtë rast.

“Tensionet çojnë në vlerësime të gabuara, vlerësimet e gabuara mund të çojnë në dhunë, e dhuna mund të përshkallëzohet në konflikt. Pra ka shqetësime, edhe pse Amerika është e angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje dhe në mbështetjen e këtyre vendeve në rrugën e tyre drejt BE-së”.

Ai thotë se këto tensione nuk janë vetëm në raportin Kosovë-Serbi, por në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Të ngjashme