Një muaj paraburgim për dhunim

15:04 | 27 Qershor 2019
Arbresh Info

Gjyata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.M.

Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunim”.

“Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit A.M. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale që i vihet në barrë dhe ekzistojnë arsyet e bazuara se po të gjendej në liri do të mund të pengonte rrjedhën e procedurës penale duke fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale si dhe duke ndikuar në të dëmtuarin apo në dëshmitarë të rastit”, thuhet në komunikatë.

Duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, peshën e veprës penale, karakteristikat personale të pandehurit, si dhe sjelljet e tij të mëparshme, nëse i pandehuri qëndron në liri do të mund të përsërisë veprën e njëjtë apo të ngjashme penale.

“Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, përfundon komunikata.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme