Në temperatura ekstreme, gazetarë dhe operatorë presin një vizitë surprizë të Ramës në Presidencë

10:06 | 27 Qershor 2019
Arbresh.info

Kryeministri Edi Rama ishte i prerë në refuzimin e ftesës së Ilir Metës për bisedime mbi krizën politike, por ashtu si presidenti, edhe gazetarët kanë vendosur të mos heqin dorë por të presin për një “surprizë” të minutave të fundit.

Gazetarë dhe operatorë ndodhen që në mëngjes herët përpara Presidencës, me kamerat drejtuar nga dera kryesore. Temperaturat ekstreme që pritet të arrijnë kulmin gjatë mesditës e vështirësojnë punën dhe pritjen e tyre, të cilët gjithsesi i druhen më shumë rritjes së mundshme “të temperaturave” në 30 qershor. Shumica e tyre kanë gjetur strehim në shkallët e Pallatit të Kongreseve.

Afati i përfundimtar i vendosur nga Meta për Ramën është ora 13:00.

Gazetarët e kanë ende të freskët precedentin e 17 majit të 2017-ës, kur kryeministri Rama ndonëse fillimisht refuzoi takimin në Kryesinë e Kuvendit me opozitën, u shfaq në momentin e fundit, kur dukej se përpjekjet për negociatata po dështonin.

Ilir Meta ka ftuar për dialog kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama në Presidencë. Basha i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese dhe paraditen e sotme në orën 09:00 ka shkuar në takim. Gazetarët e kanë filmuar mbërritjen e tij në zyrën e kreut të shtetit dhe që prej mëngjesit janë në pritje të kryeministrit Rama./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme