Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistë të gjatë me gazetarin e SuperSport, Ylli Aga, ka folur në detaje për Shqipërinë dhe sezonin e Kombëtares shqiptare, derisa ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovës dhe sa janë dëmtuar ata pas pranimit të Kosovës në UEFA
Duka ka thënë se Shqipëria duhet të bëj edhe më mirë në eliminatore të Europianit, derisa ka thënë se disa nga VIP-at e kanë braktisur Kombëtaren shqiptare gjatë këtij sezoni.
Më poshtë intervista e plotë e tij….
Sa e ka zgjeruar rrethin miqësor pozicioni i presidentit?
– Patjetër që e ka zgjeruar shumë, sepse komuniteti i futbollit është i madh. Pozicioni i Presidentit është i tillë që ka marrëdhënie me të gjithë.
Dasma e Hysajt?
– Jam i gëzuar kur kemi festa, dasma. Martojmë çunat. Dasmë shumë simpatike, të gjithë pjesëmarrësit u gëzuan. Edhe vetë kapiteni u gëzua.
Ftesa e radhës, sërish për një dasmë?
– Kemi një dasmë tjetër, me Lenjanin, në korrik.
Përshtypjet tuaja të para të Kombëtares me Edy Rejan?
– Ekipi ai është, por në këndvështrimin tim duket një dëshirë më e madhe, më shumë besim më shumë atmosferë pozitive.
U zhgënjyet nga humbja me Islandën, me vetëm një gjuajtje në portë?
– Ka shumë raste në futboll kur thuhet se meritonim më shumë, por ky ishte nga ato rastet ku vërtet meritonim më shumë. Duke parë dhe karakteristikat e ndeshjes, mbajtjen e topit 53% me 47% për ne, kornet 7 me 1, rastet, mendoj se meritonim më shumë se zero pikë. Këto që përmenda unë pak mbahen mend në futboll. Mbahet mend rezultati. Me pak më shumë përqendrim, mund ta kishim evituar humbjen.
Çfarë të pëlqeu më shumë, përveç fitores, me Moldavinë?
– Mendohet se ishte një ndeshje më pozitive se ajo me Islandën, por mbase në Islandë u luajt më mirë, u prodhua më shumë futboll, kishte më shumë kualitet për ne. Nuk janë ndeshje të ngjashme. Moldavia ishte e vështirë, të gjithë ishim nën presion, sepse goli erdhi me shumë vonesë. Madje në shënimin e golit të parë patëm edhe pak fat, me një karambol të Roshit që u kthye në asist për Cikalleshin. Një fakt tjetër që na gëzoi, sepse Cikalleshi ishte në krizë goli në ekipin kombëtare. Urojmë që ai gol t’u ketë hapur udhë golave të tjerë.
E shihni diçka pozitive faktin që skuadra u tregua e duruar, pasi nuk po gjente hapësira në mbrojtjen e Moldavisë?
Moldavia ishte një ekip që luante futboll, e kisha menduar se do mbronte dhe largonte topin. Psikologjikisht, skuadra jonë ishte përgatitur për ta fituar ndeshjen, lojtarët nuk shkuan në panik, por edhe forcat e reja që u hodhën në fushë, sidomos Roshi, i dhanë një impuls dhe entuziazëm lojës. Profesionalisht, ekipi ishte i përqendruar, besonte te fitorja dhe ia arriti.
Çfarë ndryshimi patë te trajneri Reja nga periudha që zhvilluat bisedimet, firmosët kontratën, e deri te ditët e stërvitjes dhe te ndeshjet?
– Nuk kam parë ndonjë ndryshim. Kam parë të njëjtin njeri që kam parë në fillim dhe në ditët e ndeshjes. Mendoj se, përveçse është një ekspert futbolli, dhe këtë e thotë karriera e tij e gjatë, është një njeri që komunikon shumë, e motivon ekipin dhe besoj se merr afër 100%-shit të asaj që ka skuadra. Taktikisht i instrukton shumë mirë dhe i motivon shumë mirë.
Do të donit ta kishit përzgjedhur më parë?
Nuk është se nuk e kam menduar më parë Edy Rejan, madje e kam tentuar disa vite më parë, por ai nuk ka dashur të vijë në Shqipëri në atë kohë.
6 pikë në 4 ndeshje, ndërkohë që tri skuadrat kryesore, Franca, Turqia dhe Islanda janë në kuotën e 9 pikëve. Matematikisht, mund të luajmë për gjithçka…
– Ky grup ka qenë i vështirë që në fillim. Asnjëherë nuk kemi menduar që jemi skuadra më e mirë. Jemi skuadra që duhet të luftojmë deri në fund dhe nëse bëjmë maksimumin tonë mund të arrijmë gjithçka. Maksimumi ynë nuk janë vetëm rezultatet me Andorrën dhe Moldavinë, por edhe ndaj ekipeve që janë në renditje më lart si Shqipëria. Turqia e fitoi ndeshjen me Francën në të gjitha parametrat, por pas 3 ditësh humbi me Islandën. Edhe ne mund të bëjmë të njëjtën gjë kundër tre kundërshtarëve më të fortë në grup. Në çdo ndeshje duhet të hyjmë si të barabarta, pastaj se çfarë prodhon fusha e lojës… E përsëris, nuk është se gjërat janë vështirësuar, kaq të vështira kanë qenë që në fillim.
Për ne gjërat duken të komplikuara, por për kombëtaren tjetër shqiptare, Kosovën, gjërat duken me entuziaste…
– Kam parë ndeshjen me Bullgarinë dhe atë me Malin e Zi, i kam ndjekur në SuperSport. Kanë qenë ndeshje të interpretuara shumë mirë, me mobilizim dhe atmosferë pozitive. Rezultatet nuk janë të rastësishme. Është një ekip i përgatitur mirë, ka një trajner shumë të mirë dhe është shumë e rëndësishme që ka një atmosferë shumë pozitive rreth ekipit dhe gjithkund në Kosovë. Atmosfera rreth ekipit kombëtar te ne nuk ka qenë shumë e mirë kohët e fundit, jo vetëm në shkallët e stadiumit, por në përgjithësi. Kur shkuan në Europian nuk kishim ku t’i akomodonim VIP-at dhe politikanët, kurse sot asnjë nuk na vjen në stadium. Një ekip modest ka nevojë për mbështetje maksimale dhe atmosferë pozitive nga të gjithë.
Mos po vuajmë faktin që jemi të ndarë?
– Patjetër, sepse nëse do të ishim më shumë, do të kishim më shumë alternativa. Disa nga kualitetet e Kosovës mbase do të ishin pjesë e Shqipërisë, por ky është një fakt dhe nuk mund të merremi më të analizojmë apo ta ç’bëjmë. Ne duhet të mësohemi dhe të jetojmë me këtë realitet dhe të ndërtojmë dy skuadra kompetitive.
Edhe Katalunja po të ndahej nga Spanja, ndoshta do ta vuante “La Roja”…
– Patjetër, Pique do të luante me Katalunjën.
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën