Google ADS

Kosova në vlugun e përgatitjeve

15:28 | 24 Qershor 2019
Arbresh Info

Kjo verë do të jetë shumë e ngjeshur me aktivitete për Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK). Përfaqësuesja 3X3, Kosova A te meshkujt, si dhe Kosova U-20, U-18, U-16, në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave do të marrin pjesë në gara të rëndësishme ndërkombëtare. Në lidhje me të gjitha këto aktivitete, FBK-ja, sot ka mbajtur një konferencë për media, ku kanë folur Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, Drejtori i Përfaqësueseve, Granit Rugova, basketbollisti i Kosova U-20 dhe Kosova A, Dardan Kapiti, si dhe basketbollistja e Kosova U-20, Besjana Martinaj.

Dushku ka folur për aktivitetet e shumta që mbahen gjatë verës. “Aktivitetet do t’i hapim me pjesëmarrjen e Kosovës në 3X3, ku është hera e parë që marrim pjesë në garat e FIBA-s në gara të tilla. Pas kësaj fillon Kampi Nacional nga 7 deri më 20 korrik në Suharekë, ku Kampi do të ndahet në dy pjesë, vajzat U-13 dhe U-14, e më pastaj djemtë U-13 dhe U-14. Synimi është të nxjerrim talentet e së ardhmes. Më pas kemi gjashtë Përfaqësuese që do të marrin pjesë në Kampionate Evropiane, Divizioni B, duke nisur me U-18 femrat, dhe duke e mbyllur me U-16 femrat. Një nga ngjarjet kryesore gjatë kësaj vere do të jetë organizimi i Kampionatit Evropian U-20 te femrat, Divizioni B. Ky kampionat organizohet në Prishtinë, nga 3 deri më 11 gusht, ku marrin pjesë 12 shtete. Ky është hapi i parë për të ndëruar Përfaqësuesen A të Kosovës në konkurrencën e femrave, ku synojmë të marrim pjesë në kualifikimet për Kampionatin Evropian të shteteve të vogla. Sa i përket organizimit, ne jemi duke bashkëpunuar me Ministrinë e Sportit që na ka ndihmuar jashtë mase, pastaj me Komunën e Prishtinës dhe sigurisht FIBA-n. Punimet në palestrën ‘1 Tetori’ po shkojnë shumë mirë, derisa edhe Pallati i Rinisë dhe Sportit do të jetë i gatshëm me disa intervenime të vogla. Kemi marrë përvojë nga organizimi i Kampionatit Evropian, Divizioni C, në Prishtinë, por për Divizionin B, kërkohen kritere më të larta. Kurse sa i përket përgatitjeve për ndeshjet e Kosovës A në Mitrovicë më 7 dhe 14 gusht, aty paksa çalojmë, sepse aty kërkohen intervenime më të mëdha. Nëse Ministria e Sportit dhe Komuna e Mitrovicës nuk na ndihmojnë, atëherë duhet të bëjmë improvizime. Ne kemi përvojë me improvizime, por duam të investojmë në palestër, në mënyrë që pajisjet të mbeten në palestër dhe shpresojmë se do të kemi ndihmë nga institucionet e Kosovës”, është shprehur Elvira Dushku, në konferencën për media.

Ndërkohë, Granit Rugova, ka folur për Kosovën A, si dhe turneun e Kosovës U-20 në Maqedoninë Veriore. “Kemi hyrë në fazën finaleve të stërvitjeve, ku tri grupmosha janë vendosur në Prishtinë dhe më pas do të akomodohen edhe tri të tjerat. Në mesin e muajit korrik, do të grumbullohet edhe Kosova A, ku para ndeshjeve me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe, do të zhvillojë edhe tri takime miqësore. Ndërkohë, ndeshjet miqësore të Kosovës U-20 kanë qenë të mirëseardhura. Edhe pse nuk mund të jemi të kënaqur me rezultatet, këto takime i shërbejnë për tu përgatitur sa më mirë për Evropian. Kosova U-20 ka edhe tri javë kohë që të përgatitet sa më mirë për Evropianin në Portugali. Vullneti te këta djelmosha është shumë i madh dhe besoj shumë në këtë Përfaqësuese”, deklaroi Rugova.

Ndërkohë, Besjana Martinaj ka folur për rrjedhën e stërvitjeve të Kosovës U-20 (F). “Përgatitjet po shkojnë shumë mirë dhe jemi duke dhënë maksimumin. Ne jemi vajza të reja dhe kemi një ekip të kombinuar, pasi kemi lojtare edhe nga U-16 dhe U-18. Presim që publiku të na përkrah në maksimum gjatë ndeshjeve që do të zhvillohen në Prishtinë”, ka thënë Martinaj.

Kapiteni i Kosovës U-20, Dardan Kapiti, beson se ndeshjet miqësore në Maqedoninë Veriore, u kanë ndihmuar që në të ardhmen të eliminojnë dobësitë që i kanë. “Me rezultatet nuk mund të jemi të kënaqur. Megjithatë, kemi pasur përballë edhe ekipe të forta, si Mali i Zi, që ka traditë në këtë grupmoshë. Por, ne kemi parë se mund t’i përmirësojmë gabimet dhe të përgatitemi sa më mirë për Evropianin në Portugali. Besoj se do të përgatitemi maksimalisht për këtë Evropian”, nënvizoi Kapiti.

Kosova zhvilloi miqësore me Maqedoninë Veriore, Rusinë dhe Malin e Zi, duke pësuar tri humbje.

Të ngjashme