Google ADS

Prokuroria e Shtetit për tri ditë ka ngritur 76 aktakuza kundër 95 personave

14:48 | 24 Qershor 2019
V. S.

Prokurori i Shtetit ka njoftuar për tri ditë për aktakuzat e ngritura, ndalimet e personave, kërkesat për paraburgim dhe bastisjet e kërkuara nga të gjitha prokuroritë themelore të Kosovës.

Këtu janë tri raportet e Prokurorisë së Shtetit për tri ditë; 22, 23, dhe 24 qershor.

Më datë 24 qershor, gjatë 24 orëve të fundit prokurori i shtetit, ka paraqitur dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për dy persona për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale, transmeton Gazeta Express.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar për 48 orë dy persona në dy raste të ndara. Të ndaluarit dyshohen për veprat penale: “Dhunë në familje”, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Vjedhje” sipas KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të Prokurorit kujdestar në Prokurorinë Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, është ndaluar një person për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317 të KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka ndaluar personin me inicialet V.Gj., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Tentim vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Për të njëjtin, është paraqitur edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton se gjatë 24 orëve të fundit, në fshatin Pogragjë komuna Gjilan, një person është gjetur i varur në oborrin e shtëpisë së tij. Rasti është duke u hetuar dhe prokurori kujdestar ka dhënë urdhër qe trupi i pa jetë i të ndjerit, të dërgohet për obduksion, në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, gjatë 24 orëve të fundit ka paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për një të pandehur për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe ka ndaluar një (1) person në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale” vjedhja”.

Më datën 23 qershor, prokurori i shtetit, ka paraqitur pesë (5) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për gjashtë (6) persona për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

Gjithashtu, me urdhër të prokurorit, në Istog në një bastore sportive janë sekuestruar përkohësisht: Katër (4) PC, dhe disa tiketa të bastores.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit ka bërë një kërkesë për caktim të masës së paraburgimit për personin me inicialet D.G., pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Grabitja”.

Prokuroria Themelore në Prizren, më datë 23 qershor në Prokurorinë Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet D.P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 186 të KPRK-së.

Ndërsa, Departamenti për të Mitur, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, kundër të pandehurit/të miturit me inicialet D.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Pejë, më 23 qershor, me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet B.Z., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, me këtë rast, me urdhër të prokurorit janë sekuestruar katër (4) PC dhe disa tiketa të bastores.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ndaluar dy (2) persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’. Gjithashtu nga ky departament, janë paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj tre (3) personave, për shkak të dyshimit të veprave penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’ dhe ‘’Lëndim i lehtë trupor’’.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me urdhër të prokurorit kujdestar është ndaluar një (1) person, për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Për të njëjtin, është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Për 22 qershor, prokuroria e Shtetit njofton se ka ngritur 76 aktakuza kundër 95 personave:

Po ashtu, Prokurori i Shtetit ka bërë dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit të personave të ndryshëm, si dhe ka bërë një kërkesë për bastisje në Prizren, ku janë sekuestruar:

Me rastin e kryerjes se bastisjes, janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht:

Një (1) qese plastike me substancë të dyshuar “kokainë” 0.38 gr; një (1) qese plastike me substancë të dyshuar “mariuhan” 0.9gr; para të gatshme 6500 euro; para të gatshme 270 franga; para të gatshme 225 dollarë amerikan; dy (2) mullinjë për bluarje të substancave narkotike; një (1) shufër metalike; një (1) fishek; një (1) telefon celular.

Gjithashtu, Prokurori i Shtetit ka bërë edhe një kërkesë për sekuestrim në Mitrovicë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet D.G., pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Grabitja”. Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur njëzetenjë (21) aktakuza kundër njëzeteshtatë (27) personave për vepra të ndryshme penale.

Më 22 qershor, Prokuroria Themelore në Prizren, me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është ndaluar për 48 orë i mituri me inicialet D.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së. Me rastin e ndalimit të tij, është kryer bastisje në shtëpinë e tij në Prizren.

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, janë ngritur trembëdhjetë (13) aktakuza kundër shtatëmbëdhjetë (17) personave, për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar një person me inicialet F.Sh., për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, si dhe ka ngritur katër (4) aktakuza kundër shtatë (7) personave për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’. Gjithashtu, nga kjo prokurori janë paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj tre (3) personave, për veprat penale ‘’Vjedhje e rëndë’’ dhe ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, si dhe ka ngritur pesëmbëdhjetë (15) aktakuza, kundër nëntëmbëdhjetë (19) personave, për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Gjakovë – Departamenti i Përgjithshëm, gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur nëntë (9) aktakuza kundër dhjetë (10) personave për vepra të ndryshme penale, sipas KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit ka bërë një kërkesë për sekuestrim të përkohshëm për veprën penale “Kontrabandë”, si dhe ka ngritur 11 aktakuza kundër 12 personave për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur tri (3) aktakuza ndaj tre (3) personave për shkak të veprave të ndryshme penale./GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme