Google ADS

Flet avokati që fitoi rastin në Gjykatën Kushtetuese të Speciales, përmend shkeljet tjera

08:20 | 23 Qershor 2019
L G

Derisa zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është ende në fazën e hetimeve dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve, janë gjetur një sërë shkeljesh që ka bërë kjo zyre gjatë fazës së dërgimit të ftesave dhe intervistimit, shkruan arbresh.info.

Artan Qerkini, avokati i ish komandantit të UÇK-së, Mahir Hasani, gjatë mbrojtjes së klientit të tij ka hasur në disa parregullsi në pranimin e ftesës nga Gjykata Speciale dhe procedurat e intervistimit.

Në bazë të një urdhri të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga Mahir Hasani është kërkuar që ai me rastin e intervistimit të tij në Hagë, të dërgoj dokumente, prova, skica e fotografi ku dëshmon se ai ka qenë pjesë e UÇK-së.

Pas identifikimit të urdhrit, avokati i tij Artan Qerkini ka sfiduar dhe ka arritur ta anuloj këtë kërkesë të cilën ai thotë se shkel një sërë të drejtash të garantuara me Kushtetutë. Ky urdhër mund të cenoj të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut.

“Në lidhje me klientin e parë që e kam pas në Dhomat e Specializuara unë kam hasur në një parregullsi në formë të një urdhri të prokurorit të zyrave të Specializuara përmes së cilës klienti im ishte urdhëruar që më vete gjatë intervistimit në Hagë të sjell prova dokumente, skica e fotografi të ndryshme që ndërlidhen me aktivitetin e tij në UÇK”, thotë Qerkini në një intervistë për portalin Arbresh.info.

Pas kërkesë së avokatit Qerkini, urdhri është pezulluar fillimisht dhe pastaj është anuluar nga Gjykata Speciale.

“Me të marrë këtë urdhër e kam identifikuar si në kundërshtim me Kushtetutën sepse urdhri në fjalë cenonte disa të drejta elementare kushtetuese. Siç janë privilegji i mosinkriminimit dhe e drejta për mbrojtje dhe në këtë drejtim e kisha sfiduar këtë urdhër në Gjykatën Kushtetuese të Gjykatës Speciale. Kjo gjykatë pastaj e pranoi kërkesën time për pezullimin e urdhrit të prokurorit sepse ishte shumë afër intervistimi i klientit. Pas pezullimit, zyra më ka njoftuar se e tërheqë urdhrin”, tha ai.

Sipas avokatit Qerkini kjo nuk është e vetmja parregullsi. Sipas tij Gjykata Speciale po bënë parregullsi të tjera të cilat sipas tij mund të jenë edhe të qëllimshme.

“Sa i përket parregullsive të tjera mendoj se ka pasur një sërë parregullsish. Nëse do të jetë nevoja do t’i sfidojmë në fazat e mëtejshme të procedurës. Gjatë leximit që po ju bëhet të dyshuarve po bëhet një gabim ku të dyshuarit po i thuhet se është i obliguar ta thotë të vërtetën, kjo i thuhet vetëm dëshmitarit sepse i dyshuari ka të drejtë të mbrohet në heshtje”.

Përpos parregullsisë në ftesën e Mahir Hasanit, parregullsitë janë evidentuar edhe tek ftesat tjera.

Aktualisht nga zyra e Prokurorit janë duke u zhvilluar hetimet. Secila lëndë është në fazën e hetimeve duke u marrë në pyetje dëshmitarët./arbresh.info/

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/328104291449318/

Të ngjashme