Kreu i Kishës Katolike, imzot Xhorxh Frendo ka bërë një deklaratë të fortë ndaj politikanëve shqiptarë, të cilët i paralajmëron kundër përkeqësimit të krizës, që mund të sjellë pasoja të rënda për vendin tonë. Imzot Frendo u kujton politikanëve të të dyja krahëve se do të bëhen përgjegjës nëse i shkaktojnë dëme atdheut.
“Do të jeni ju shkaku i pasojave të rënda që qëndrimi juaj mund të shkaktojë dhe, si na ka mësuar historia, në të ardhmen shoqëria jonë do t’ju bëjë përgjegjës për dëmtimin që do t’i keni shkaktuar atdheut” u shpreh Frendo.
Kreu i Kishës kërkon nga drejtuesit e partive politike që të harrojnë premtimet që u kanë dhënë mbështetësve, pasi “asnjë shqiptar, që e do atdheun dhe të mirën e përbashkët më shumë sesa të mirën e partisë, nuk do t’ju qortojë apo t’ju akuzojë që nuk keni mbajtur fjalën, nëse arrini të kërkoni një rrugë te ndryshme nga rruga që keni ndjekur deri më sot.”
“Jini të sigurt se shumica e popullit tonë kërkon prej jush vullnet të mirë për të shmangur çdo rrezik që do të na çojë drejt një humnere vdekjeprurëse”, tha ai.
Deklarata e plotë e Kishës Katolike drejtuar politikanëve
Edhe një herë ju drejtohemi, me shpresë që thirrja jonë të mos mbetet një zë në shkretëtirë, por të gjejë jehonë në mendjet dhe zemrat tuaja.
Jemi shumë të vetëdijshëm për situatën tepër kritike në vendin tonë të dashur, Shqipëri. Veçanërisht gjatë ditëve të fundit, kemi lexuar shkrime të një sërë personash, shumica prej të cilëve janë mjaft të njohur në shoqërinë tonë. Të gjithë këta kanë shprehur shqetësimin e tyre të madh për këtë situatë, duke menduar se ka shumë rrezik që do të përkeqësohet, me pasoja tepër të rënda për vendin tonë. Do të jeni ju shkaku i pasojave të rënda që qëndrimi juaj mund të shkaktojë dhe, si na ka mësuar historia, në të ardhmen shoqëria jonë do t’ju bëjë përgjegjës për dëmtimin që do t’i keni shkaktuar atdheut.
Në emër të Zotit, ne, ipeshkvinjt katolikë në Shqipëri, me shumë besim, ju lutemi të tregoni dashuri më të madhe dhe të sinqertë ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve, duke na treguar që me vendosmëri kërkoni një zgjidhje serioze e paqësore për këtë situatë, duke shmangur çdo rrezik që e keqja të na çojë drejt një të keqeje më të madhe. Paqja e vërtetë nuk do të thotë të mbyllim sytë për anomalitë që ekzistojnë. Nuk ka paqe të vërtetë, nëse nuk ndërtohet mbi drejtësi e vërtetë.
Ju lutemi të hapni një kapitull të ri në politikën tuaj. Harroni fjalët e forta që ju vetë u keni drejtuar kundërshtarëve tuaj, harroni gjithashtu fjalët që kundërshtarët tuaj ju kanë drejtuar juve. Harroni planet që kishit hartuar për t’i luftuar kundërshtarët. Harroni edhe premtimet me të cilat kishit mbushur mendjet e ndjekësve tuaj.
Jini të sigurt se asnjë shqiptar, që e do atdheun dhe të mirën e përbashkët më shumë sesa të mirën e partisë, nuk do t’ju qortojë apo t’ju akuzojë që nuk keni mbajtur fjalën, nëse arrini të kërkoni një rrugë te ndryshme nga rruga që keni ndjekur deri më sot. Jini të sigurt se shumica e popullit tonë kërkon prej jush vullnet të mirë për të shmangur çdo rrezik që do të na çojë drejt një humnere vdekjeprurëse.
Ka pasur raste kur të gjithë ju jeni shprehur me krenari për fatin tonë të lum që mes besimeve të ndryshme, në këtë vendin tonë të dashur, ekziston një traditë bashkëjetese ndërfetare në harmoni. Këtë vlerë të rëndësishme duhet ta mësoni nga ne. Besimet nuk na kanë ndarë. Mos lejoni që politika të bëhet shkak përçarjeje për popullin tonë.
Populli yne i dashur, inteligjent dhe shume fisnik e ka memorien historike të largët dhe të afërt të freskët dhe është i vetëdijshëm që politika nuk do të arrijë t’i perçajë për t’i bërë keq vendit të vet dhe bashkevëllezërve Shqiptarë.
Zoti ju ndriçoftë dhe ju dhëntë guxim për të zgjedhur rrugën e drejtësisë dhe të paqes!
Ipeshkvinjt katolikë e Shqipërisë./TCH
I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëb...
Osmani udhëton për në Kanada, përfaqëson Kosovën në Forumin ...
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës