Google ADS

Ministri Gashi bën thirrje për amandamentim dhe zbatim të ligjit për sponsorizime

16:25 | 20 Qershor 2019
Arbresh.info

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës ta votojnë amendamentin i cili avancon fushat e kulturës, rinisë dhe sportit, duke rritur krijimtarinë dhe cilësinë.

“Ne si ministri, përpos që kemi themeluar komisionin për vlerësimin e vërtetimeve për sponsorizim, tashmë kemi përfunduar të gjitha procedurat dhe kemi vërtetuar disa sponsorizime të cilat deri më tani nuk po arrijmë t’i implementojmë si rezultat i neglizhencës nga ana e institucioneve financiare, në këtë rast nga ana e ATK-së”, ka thënë ministri.

Ministri sqaroi se vënia në zbatueshmëri e ligjit për sponsorizime i hap rrugë zhvillimit të sportit, sportistëve, nxit krijimtarinë dhe angazhimin e artistëve, forcon institucionet kombëtare të kulturës si dhe kulturën e pavarur, si dhe avancon të rinjtë në përgjithësi.

“Kjo bllokadë është e pakuptueshme përse po ndodh. Mbështetja e sportistëve dhe artistëve nuk bëhet vetëm duke qëndruar nëpër tribuna e në salla sportive e të kulturës si spektatorë, por duke krijuar mundësi ligjore e financiare për avancimin e tyre”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme