Tensionet brenda LDK-së mund të shpërthejnë edhe në Konventën Qendrore

08:04 | 20 Qershor 2019
V. S.

Lidhja Demokratike e Kosovës tash e disa ditë është duke u përballur me përplasje të thella mes anëtarëve në kuvendet zgjedhore në disa degë dhe nëndegë ku është përdorur edhe dhuna fizike.

Njohësi i rrethanave politike në vend  Imer Mushkolaj, vlerëson se përleshjet në LDK janë rezultat i luftës për pushtet të grupeve brenda partisë.

Mushkolaj e konsideron dështim të partisë që nuk po arrin t’i menaxhoje as kuvendet e nëndegëve.

“Përleshjet në LDK janë rezultat i luftës për pushtet të grupeve brenda partisë. LDK nuk po arrin t’i menaxhoje as kuvendet e nëndegëve, gjë që është dështim i partisë. Mund të ketë edhe elemente jashtë LDK-së që po marrin pjesë nëpër kuvende dhe po provokojnë situatën, por LDK do të duhej t’i menaxhonte situatat e tilla dhe të mos lejonte të ndodhin”, ka thënë Mushkolaj

Edhe analisti politik Shkodran Ramadani, thotë se zanafilla brenda LDK-së  është që nga koha kur ka vdekur Presidenti Rugova, e nga ajo kohë LDK-ja ka pasur probleme me akomodimin e rrymimeve të ndryshme.

“Këto përleshje ndodhin për shkak të ekzistimit të shumë fraksioneve të cilat janë zhvilluar viteve të fundit në LDK dhe që mendoj se janë formuar sidomos në kohën kur LDK pati vendosur të futet në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Mirëpo zanafilla është që nga koha kur ka vdekur Presidenti Rugova. Nga ajo kohë LDK-ja ka pasur probleme me akomodimin e rrymimeve të ndryshme brenda. Pluralizmi ka shkaktuar turbulenca të brendshme për shkak të mungesës së një lideri drejt të cilit graviton e gjithë anëtarësia. Siç e dimë ka pasur një pakënaqësi të disa figurave me peshë në LDK pas vendimit për t’u futur në koalicion me PDK-në, dhe tensione ka pasur edhe ne konventën e kaluar kur Isa Mustafa nuk kishte lejuar Vjosa Osmanin dhe Donika Gërvallën që të kandidonin. Me kalimin e kohës këto fraksione janë shtuar, rritur dhe forcuar e bashkë me to janë ngritur edhe tensionet. Për më tepër, pas sëmundjes së Isa Mustafës, është dobësuar lidershipi i tij dhe kjo ka shkaktuar rritjen e ambicieve të figurave tjera të cilat duke e vërejtur dobësimin e Isa Mustafës kanë rritur pretendimet për lidership brenda LDK-së”.

Tutje mendon që tensione të ngjashme mund të shfaqen edhe në Konventën Qendrore nëse figurat kryesore nuk arrijnë të bien dakord se si të shpërndahen postet.

Gjithashtu ai thotë se përjashtimi i Arban Abrashit nga procesi zgjedhor e konfirmon këtë rrezik.

“Tensione të ngjashme mund të shfaqen edhe në Konventën Qendrore nëse figurat kryesore nuk arrijnë të bien dakord se si të shpërndahen postet: se kush do jetë kryetar i LDK-së, kush kandidat për kryeministër., etj. Nëse nuk barazpeshohen interesat dhe ambiciet, atëherë LDK-ja rrezikon që të lejojë eskalimin e situatës në dhunë e madje të ketë njerëz aq të pakënaqur, sa në fund të largohen nga partia. Përjashtimi i Arban Abrashit nga procesi zgjedhor e konfirmon këtë rrezik. Nënkryetari Lutfi Hazri ka deklaruar se LDK-së nuk i konvenon përsëritja e një konvente si ajo e vitit 2006, në të cilën u patën rrahur me karrige sikur tash (vetëm se atëherë ka qenë më e rëndë). Haziri ka aluduar se një gjë e tillë mund të përsëritet nëse nuk ka një ujdi mes figurave kryesore të LDK-së. Siç e dimë, LDK është shumë heterogjene, me shumë rryma garuese, me shumë grupacione të shpërndara në tri gjenerata, si ajo e Isa Mustafës, Lutfi Hazirit, Agim Veliut, Vjosa Osmanit etj. Tensionet shtohen edhe nga ato figura dhe anëtarë të cilët duke parë se LDK-ja del mirë në sondazhe dëshirojnë të vendosen në pozita drejtuese prej të cilave mund të eksploatojnë privilegjet që sjell pushteti. Pra është edhe simptomë e një kulture klienteliste që vibron në partitë tona. Ka një shpërthim apetitesh për pushtet në mesin e grupacioneve të ndryshme që ndonjëherë manifestohet edhe me dhunës, sidomos nëse partia nuk ka mekanizma të mjaftueshëm për menaxhimin e dallimeve”, thotë ai.

Ndërsa edhe analisti politik Fatmir Sheholli thotë se të gjitha këto rrahje e kacafytje nëpër degë e nëndege të LDK-së nuk po ndodhin për koncepte politike brenda LDK.

Por, sipas tij për fitimin e primatit “të parit në lagje” me qellim që nesër të munden ta shfrytëzojnë atë pozitë për ndonjë punësim familjar.

“Konsideroj që rrjedhat në LDK janë pasojë e mos qartësimit të kandidaturave për të parin e LDK. Konsiderojë që edhe lideri i LDK duhet të jetë shumë më i detajshëm rreth asaj se a do të jetë kandidat për kryetar e jo të mbetet enigme. Sepse, enigmat sjellin mjegull e mjegulla sjellë pasoja politike. LDK si parti që është bërthama e shtetësisë së Kosovës nuk duhet të bëhet objekt i opinionit publik për negativitet dhe ajo që është ekuivalente me sjelljet aktuale të LDK është humbja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të gjitha këto rrahje e kacafytje nëpër degë e nëndegë të LDK-së nuk po ndodhin për koncepte politike brenda LDK-së, por po ndodhin për fitimin e primatit ‘te parit në lagje’ me qellim që nesër të munden ta shfrytëzojnë atë pozitë për ndonjë punësim familjar”.

Tuje thotë se duhet të veprojnë strukturat e partisë në qetësimin e situatës.

“Nuk mundet askush të më bind se kështu siç po i shohim sjelljet e anëtareve të LDK-së nëpër degë e nëndegë se po bëhen për koncepte të mirëfillta politike konkurruese. Adaj sa më shpejt të veprojnë strukturat e partisë në qetësimin e situatës aq më shëndetshëm do të jetë për LDK-në. Sepse, nëse sot veprohet kështu me rrahje e kacafytje nëpër nëndegë aktive të LDK, dhe nesër LDK vjen në pushtet a duhet të durojmë rrahje ndoshta edhe nëpër zyre të qeverisë, e institucioneve të Kosovës. Sepse ata që sot po sjellën nëpër aktivitete e nëndegë, kështu pretendojnë të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës”, deklaroi Sheholli./A.Zeka/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme