Google ADS

Rouhani: Sanksionet amerikane mbi Iranin, “terrorizëm ekonomik”

23:30 | 19 Qershor 2019
Arbresh.info

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, sanksionet amerikane kundër vendit të tij i ka përshkruar si “terrorizëm ekonomik” dhe “krim kundër njerëzimit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sot, askush nuk dyshon se komplotet e SHBA-së kundër Iranit, që filluan vitin e kaluar me sanksionet që synonin humbjen e besimit të popullit në sistem, kanë dështuar plotësisht”, tha Rouhani, cituar nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr.

Rouhani theksoi se bota është kundër “unilateralizmit” të SHBA-së.

Më 7 qershor, Departamenti i Thesarit i SHBA-së imponoi sanksione të reja mbi industrinë petrokimike të Iranit, duke përfshirë kompaninë më të madhe petrokimike të vendit për ofrimin e “mbështetjes financiare” të Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC).

Tensionet midis SHBA-së dhe Iranit janë në rritje që kur presidenti amerikan, Donald Trump, tërhoqi Uashingtonin në mënyrë të njëanshme nga një marrëveshje ndërkombëtare e vitit 2015 midis fuqive botërore dhe Iranit për të frenuar programin e tij bërthamor.

Administrata e presidentit amerikan vazhdoi më tej me disa veprime të tjera që synonin fundosjen e marrëveshjes, duke përfshirë ri-imponimin e sanksioneve ndaj naftës iraniane.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme