Boris Johnson rrit epërsinë në garën për lider të Partisë Konservatore

22:22 | 19 Qershor 2019
Arbresh.info

Ish-sekretari i jashtëm britanik Boris Johnson ka rritur epërsinë e tij në garën për lidershipin e Partisë Konservatore pasi në raundin e tretë të votimit eliminator mori mbështetje nga 143 deputetë të partisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në votimin që u realizua në Dhomën e Ulët, sekretari aktual i Jashtëm Jeremy Hunt mori 54 vota, kurse Michael Gove, sekretari i Mjedisit, 51 vota.

Ndërkaq, sekretari i Brendshëm Sajid Javid u rendit i katërti në me mbështetjen e 38 deputetëve.

Megjithatë, Rory Stewart, sekretari i Zhvillimit Ndërkombëtar, është eliminuar nga gara pas marrjes së vetëm 27 votave dhe renditjes në vendin e fundit në këtë raund votimi.

Johnson fitoi 126 vota në raundin e dytë që u zhvillua dje dhe 114 në raundin e parë.

Ai do të përballet me tre kandidatët e tjerë në raundin e ardhshëm, i cili do të mbahet të enjten.

Fituesi i garës për lidership do të shpallet në javën që fillon më 22 korrik.

Udhëheqësi i ri i konservatorëve do të marrë përsipër zyrën më të lartë të qeverisë si kryeministër i ri.

Gara për postin e liderit të partisë filloi pas dorëheqjes së Theresa May më 7 qershor si rezultat i dështimit të saj të përsëritur për të siguruar vota të mjaftueshme për marrëveshjen e saj Brexit në Dhomën e Ulët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme