Sudan, këshilli ushtarak shprehet i gatshëm për bisedime me opozitën

19:08 | 19 Qershor 2019
Arbresh.info

Këshilli Ushtarak i Sudanit ka deklaruar se është i gatshëm të përfshihet në bisedime me opozitën përderisa po vazhdon situata e tensionuar që nga largimi i presidentit Omar al-Bashir, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne mirëpresim bisedimet me koalicionin Liri dhe Ndryshime, por pa përjashtimin e asnjë sudanezi në zgjidhjen (gjithëpërfshirëse) kombëtare”, tha gjenerali Abdel Fattah Burhan, kreu i Këshillit të Përkohshëm Ushtarak (TMC), gjatë një takimi me delegacionin e Këshillit Kombëtar për profesionet e mjekësisë dhe shëndetësisë në Khartoum.

Burhan përsëriti qëndrimin e TMC-së për refuzimin e çdo ndikimi të jashtëm në çështjet e brendshme të Sudanit.

Ai tha se TMC nuk ka parakushte për t’u ulur dhe për të biseduar me çdo palë.

“Megjithatë, TMC nuk do të lejojë që shteti të rrëshqasë në rebelim”, tha Burhan.

Sudani ka mbetur i përfshirë nga trazirat që nga 11 prilli, kur ushtria largoi presidentin Omar al-Bashir, pas protestave disamujore kundër qeverisjes së tij 30-vjeçare.

TMC tani është duke mbikëqyrur një “periudhë të përkohshme dyvjeçare”, gjatë së cilës kanë premtuar se do të mbajnë zgjedhje të lira presidenciale.

Dje, TMC njoftoi se do të formojë një qeveri të përkohshme teknokrate.

Megjithatë, protestuesit vazhdojnë të kërkojnë që MTC sa më shpejtë të jetë e mundur t’ia dorëzojë pushtetin një qeverie të zgjedhur civile.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme