Google ADS

Juventusi në pritje të vendimit të Rabiotit

16:18 | 19 Qershor 2019
L G

Kontrata e Adrien Rabiotit me Paris Saint-Germainin ka marrë fund dhe francezi tani duhet ta marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij. Juventusi është në pritje të këtij vendimi.

Sky Sports Italia raporton se mesfushori francez ende nuk e ka marrë vendimin për të ardhmen e tij, përkundër që El Chiringuito pretendon se ai tashmë ka arritur marrëveshje me bardhezinjtë.

Mediat italiane kishin raportuar se edhe Manchester Unitedi i kishte ofruar kontratë 24-vjeçarit, pasi që ata janë në kërkim të një mesfushori që do ta zëvendësonte Ander Herreran, i cili u largua nga “Djajtë e kuq” në fillim të qershorit.

Para disa ditësh, Rabioti e sqaroi situatën e tij aktuale në një intervistë me të përditshmen italiane, Corriere dello Sport.

“Kam folur me Juventusin. Është një klub i mrekullueshëm ku do të donin të luanin të gjithë. Mua më pëlqen shumë Italia, është e mrekullueshme këtu. Një sezon i madh po më pret”, ka thënë Rabioti.

“Juventusit? Juventusi më ka shikuar dhe ne kemi folur për këtë mundësi, por nuk mund të them asgjë tjetër”.

“Manchester United? Është e njëjta si vitin e kaluar, unë duhet të vendos. Jam në pushime për momentin. Së shpejti do ta merrni vesh”.

Rabioti e ka kaluar të gjithë karrierën e tij si futbollist profesionist me Paris Saint-Germainin, me përjashtim të gjashtë muajve që kishte luajtur si i huazuar në Toulouse.

Gjatë kësaj kohe, ai i ka fituar gjashtë tituj të Ligue A.

Megjithatë, ai nuk pranoi ta rinovonte kontratën e tij me kampionin francez dhe kjo bëri që drejtuesit e PSG-së ta largonin atë nga ekipi i parë në dhjetor, prej kur Rabioti u detyrua të stërvitej me rezervat e klubit francez. /Gazeta Express

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme