Boris Johnson sërish kryeson në garën për lider të konservatorëve

22:09 | 18 Qershor 2019
Arbresh.info

Ish-sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, ka rezultuar fitues edhe në raundin e dytë të votimit në garën për marrjen e postit të liderit të Partisë Konservatore, pasi ka siguruar 126 vota nga anëtarët e partisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në votimin që u zhvillua në Dhomën e Ulët, në të cilin morën pjesë 313 deputetët e partisë, Johnson u pasua nga sekretari i Jashtëm Jeremy Hunt me 46 vota.

Michael Gove, sekretari i Mjedisit, mori 41 vota, sekretari i Zhvillimit Ndërkombëtar Rory Stewart siguroi 37 vota, sekretari i Brendshëm Sajid Javid 33 dhe Dominic Raab, ish-sekretari i Brexit-it, 30 vota.

Johnson, Hunt, Gove, Stewart dhe Javid do të kalojnë në raundin tjetër që pritet të zhvillohet nesër.

Me këto rezultate, Raab u eliminua nga gara pas marrjes së më pak se 33 votave, që është pragu i nevojshëm për të kaluar nëpër raundin tjetër.

Johnson do të përballet me katër kandidatët e tjerë në raundin e ardhshëm.

126 votat e Johnsonit paraqesin një rritje për 12 vota nga numri i votave që mori në raundin e parë, që ishte 114.

Ish-sekretari i jashtëm, si në raundin e parë të votave, është i vetmi kandidat që ka marrë mbi 100 vota.

Nëse Johnson arrin të ruajë këtë kryesim dhe të fitojë në raundin përfundimtar, ai do të marrë postin e kryeministrit të ardhshëm të Britanisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme