Kosovari i shpëton dëbimit nga Zvicra me arsyetimin se “i ka mendt e fëmijës”

09:44 | 18 Qershor 2019
Arbresh.info

Një shqiptar 32 vjeç nga Kosova që jeton që prej moshës 7 vjeç në Zvicër, i shpëton dëbimit vetëm nga testi i inteligjencës, i cili i ka dalë tepër i ulët.

Ai ka pasur probleme me ligjin dhe është dënuar disa herë penalisht. Ndërkaq, në vitin 2014 atij i është shqiptuar një dënim prej dy vjetësh heqje lirie për sulm, rrezikim të jetës dhe shëndetit.

Po ashtu ai është i zhytur thellë në borxhe dhe merr ndihma sociale, shkruan sda.ch. Pa ndonjë profesion të përfunduar, ai sot sorollatet nga njëra zyre për punë të përkohshme në tjetren.

Sipas një raporti psikiatrik, kosovari ka vështirësi të theksuar në llogaritje, në të kuptuarit e teksteve dhe në lexim, transmeton albinfo.ch. Një test IQ (i inteligjencës) ka ardhur në përfundimin se ai ndodhet në shkallën e zhvillimit të një fëmije 9 deri 12-vjeçar.

Në gusht të vitit 2015 Zyra Kantonale për Migracion e Kantonit Baselland ia ka hequr lejen e qëndrimit të përhershëm në Zvicër (Vizën C). Pas një shtyrjeje, Gjykata Kantonale e Basellandit vitin e kaluar ka marrë vendimin për dëbimin e kosovarit, përcjell albinfo.ch. Sa i përket lartësisë së dënimit dhe profilit prej personi me precedente, ai i përmbushte kriteret e caktuara të iniciativës për dëbim të të huajve me dosje krimi, të votuar nga populli i Zvicrës në vitin 2010.

Mirëpo, rasti i tij, sipas vendimit të Gjykatës Federale të Zvicrës, përbën një përjashtim. Më 27 maj të këtij viti, gjykata në fjalë, si shkalla më e lartë e gjyqësisë zvicerane, ka marrë një vendim për anulimin e dëbimit të kosovarit, transmeton albinfo.h.

Arsyetimi i këtij vendimi është: “Me një inteligjencë të një fëmije të moshës 9 deri 12-vjeçare, ai do ta ketë të vështirë të gjendet i vetëm në vendin e prejardhjes”. Ai, pra, nuk mund të sigurojë ekzistencën e vet në një gjendje të tillë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme