Google ADS

Hapet tenderi që Adem Demaçit t’i ndërtohet shtatorja e gjatë katër metra

08:08 | 18 Qershor 2019
Arbresh.info

Premtoi ndërtimin e autostradës, sheshit e shtatores “Adem Demaçi”.

Madje kishte formuar edhe komision të veçant për to, por plotë një vit me vonesë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka nisur procedurat për realizimin e kësaj të fundit.

Tashmë është hapur tenderi që veprimtarit të çështjes shqiptare, Adem Demaçi t’i ndërtohet shtatorja që do të vendoset në kryeqytet.

Në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik janë cekur edhe kushtet e pjesëmarrjes për konkursin e projektit me titull “Ndërtimi i shtatores së Adem Demaçit” .

Por aty nuk është bërë e ditur shuma që zyra e kryeministrit Haradinaj ka planifikuar të shpenzoj në këtë shtatore. Ndërsa thuhet se lokacioni i saj do të jetë tek rreth rrotullimi i spitalit.

E afati i fundit për pranimin e projekteve është data 17 korrik 2019.

Arbresh.info gjatë të hënës ka provuar të kontaktoi me djalin e veprimtarit Demaçi, Shqiptar Demaçi por nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Ndërsa nga zyra e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj  kanë thënë se shtatorja do të jetë katër metra.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit i cili është edhe anëtarë i Komisionit të krijuar për monitorimin e vendosjes së shtatores ka konfirmuar gjithashtu përfundimin e afatit.

“Konkursi është publik deri më 17 të muajit të ardhshëm do të kenë mundësi autorët të aplikojnë dhe do të bëhet përzgjedhja. Do të jetë katër metra i gjatë dhe do të vendoset në parkun ‘Adem Demaçi’ te rreth rrotullimi”, ka thënë ai.

Lluka ka shtuar gjithashtu se komuna e Prishtinës do të merret me përgatitjen e projektit për ambientit rreth shtatores.

Ndryshe në mbledhjen e mbajtur më 31 korrik 2018, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, emërtimin e autostradës Prishtinë-Pejë- “Autostrada Adem Demaçi” dhe propozimin për të emëruar parkun e qytetit të Prishtinës – “Parku Adem Demaçi”.

Madje në këtë mbledhje ishte formuar edhe Komisioni për këto tri çështja e në përbërje të së cilit ishin caktuar një përfaqësues i Zyrës së Zryeministrit të Republikës së Kosovës, një përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës, një i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, një i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, një i Agjencisë për Menaxhimin e Kompleksëve Memoriale dhe një përfaqësues i Komunës së Prishtinës.

E në të njëjtin vendim thuhet se të gjitha shpenzimet do të mbulohet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Veprimtari i çështjes shqiptare, Adem Demaçi, ka ndërruar jetë më 26 korrik të vitit të kaluar në moshën 82 vjeçare.

Demaçi njihej si simboli i rezistencës kombëtare, i quajtur edhe si Mandela i Ballkanit.

Ai u arrestuar dhe dënua tri herë, duke vuajtur kështu 28 vjet me radhë në burgjet e ish-Jugosllavisë.

Në vitin 2010 ai u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”./arbresh.info/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme