Franca jep sinjale të këqija për bisedimet RMV dhe Shqipërisë me BE

12:01 | 17 Qershor 2019
Arbresh Info

Qeveria e Francës sinjalizoi se ajo tash për tash nuk e ka ndërmend që të ndërrojë së shpejti qëndrimin kundër hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Bashkimin Evropian (BE), shkruan Zhurnal.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme u ka thënë gazetarëve në Paris, se Franca aktualisht është duke e analizuar raportin e 29 majit të Komisionit Evropian (KE) dhe rekomandimet për të dy shtetet dhe do të prononcohet në të ardhmen, pa saktësuar më shumë.

KE iu ka propouar qeverive të BE-së që të hapin bisedimet pa u vonuar. Por këtë muaj qeveritë e bllokut evropian nuk do të marrin ndonjë vendim pozitiv, por do ta shtyjnë atë edhe për katër muaj të tjerë, të paktën.

« Franca aktualisht po e analizon raportin e Komisionit dhe do të prononcohet me shkopin e kërkesës së dyfishtë… » ka thënë një zëdhënës sipas një transkripti të konferencës për shtyp nga ministria e jashtme e Francës.

Zëdhënësi i ka sqaruar më pas qëndrimet e vjetra të kryetarit francez Emmanuel Macron kundër vazhdimit të procesit të zgjerimit të BE-së pa pasur reforma brenda vet bllokut evropian.

« Ashtu siç ka përkujtuar disa herë kryetari i Republikës, procesusi i zgjerimit duhet që të ketë së pari parasysh përparësinë që Bashkimi Evropian të jetë thelluar dhe ta shoh funksionimin e saj që të përmirësohet », tha zëdhënësi në Paris për të vazhduar më tutje se zgjerimi i BE-së nuk duhet që të ketë kalendar.

« Ne duhet që të jemi të kujdesshëm që vendet kandidate të respektojnë krejtësisht kriteret e përcaktuara nga Këshilli (i BE-së). Procesusi i zgjerimit është i bazuar në kriteret e kërkuara dhe meritat e secilit nga kandidatët, pa kalendar të përcaktuar përpara… », shkruhet në transkriptin e ministrisë së jashtme franceze.

Raporti i KE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë do të jetë temë e bisedimeve të ministrave të jashtëm të BE-së të martën në Luxemburg, shkruan Zhurnal.

Të premten edhe qeveria gjermane sinjalizoi se Franca ende është kundër hapjesë së shpejt të bisedimeve të BE-së me të dy vendet.

Por tash për tash edhe qeveria gjermane ende nuk e ka marrë dritën e gjelbër nga parlamenti vendor, as për Maqedoninë e veriut e as për Shqipërinë.

Kjo pritet që bëhet në shtator, nëse është për t’u besuar fjalëve të kryeministri Zoran Zaev, pas takimit të së enjtes në Berlin me kancelaren Angela Merkel.

Shqipëria ndërkohë ka edhe një pengesë më shumë. parlamenti holandez javën e kaluar tha se Tirana nuk e meriton tash për tash hapjen e bisedimeve, dhe me këtë nuk ia dha të drejtën qeverisë holandeze të votojë për PO.

Vera duhet të kalojë e të pritet shtatori, nëse Berlini do të arrijë të bind Parisin që të lëshojë pe e të lejojë hapjen e bisedimeve për të paktën Shkupin, qeveria e së cilës bëri kompromis të madh dhe ia ndërroi emrin shtetit për shkak të premtimit të BE-së për t’u futur në trenin drejt anëtarësimit.

Vetoja greke u hoq, por tash Franca po bënë veto ndaj Maqedonisë me emër të ri, Maqedoninë e Veriut pra, për arsye të dyfishta, kinse as BE-ja e as Shkupi nuk qenkan të gatshme me reforma, atje brenda BE-së dhe atje në Shkup./Zhurnal.mk

Të ngjashme