Facebook të marten pritet ta prezantoj kriptovalutën e saj ‘Global Coin’

12:37 | 16 Qershor 2019
L G

Mendoj se njerëzit duhet të kenë mundësinë që të dërgojnë para me të njëjtën lehtësi sikurse dërgojnë një foto, kështu kishte thënë themeluesi i rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg.

Kriptovaluta që Facebook po bëhet gati që të paraqesë të marten dhe që do të aplikohet vitin e ardhshëm është emërtuar Global Coin, paraqet një platformë për transferimin e parave që bashkon Instagramin, WhatsAppin dhe Messengerin. Një monedhë pa kufij që do të lëvizë pa barriera në tregjet ndërkombëtare e për më shumë, pa komisione, duke shfrytëzuar sistemin që eleminon çdo lloj ndërmjetësie.
Për Facebook është një bast në një moment ekstremisht delikat, në dritën e akuzave që lidhen me të dhënat personale të përdoruesve duke nisur nga skandali “Cambridge Analytica”.

Nëse strategjia e Zuckerberg synon të transformojë rrjetin social në një platformë të bazuar në biseda private dhe mbi shërbime që mund të rrjedhin prej tyre, do të duhet të gjejë burime alternative për reklamimet.

Nga ana tjetër, Facebook ka bashkuar një grup partnerësh me autoritet të padiskutueshëm, nga Mastercard e Visa, te Paypal, Uber e Booking që jo vetëm do të bëjnë të mundur përdorimin e kriptovalutës por do të paguajnë edhe një 10 milionë dollarë secili për të marrë pjesë në drejtimin e sistemit.

Një pjesë e mirë e aktorëve të përfshirë në projekt, duke nisur nga sistemet e mëdha të pagesave ndërkombëtare janë të interesuara që të monitorojnë nga afër evolucionin e eksperimentit që në fakt vendos në risk modelin e tyre të biznesit. Padyshim njoftimi i Facebook do t’i çojë kriptovalutat në botën “mainstream” të financës.
Facebook ka punuar për më shumë se një vit në një iniciativë të fshehtë me emrin e koduar “Project Libra” për të ndërtuar një sistem pagesash të bazuar në kriptovalutë.

Gjiganti i rrjetit social ka folur me firma financiare dhe tregtare online pasi kërkon të marrë rreth një miliard dollarë investime dhe të kërkojë partnerë për të ndihmuar në lansimin e sistemit. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme