Mulaku pranon se “pa presione” ka dërguar njerëz për punësim në Telekom

08:30 | 16 Qershor 2019
L G

Bajram Mulaku pranon se ka dërguar njerëz për punësim në Telekom por mohon të ketë bërë presion. Gjatë raportimit në Komisionin Hetimor foli edhe për punësimet në PTK.

E ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha të hënën përmendi edhe ish-kryetarin e Vushtrrisë, Bajram Mulakun. Sipas tij dy persona kërkuan punësim në Telekom si të dërguar të Mulakut.

“Dy persona m’i ka dërguar Bajram Mulaku nga Vushtrria. Më kanë thënë që nëse nuk punësohen, do të themi se Bahri Haxha nuk ka qenë dëshmor. Për këtë nuk janë punësuar”, ka thënë ai.

Por këtë po e mohon Mulaku. Ai në një prononcim dhënë për arbersh.info ka thënë se nuk është e vërtetë.

E arbresh.info ka marrë vesh se bëhet fjalë për dy vëllezërit Musa, ndërsa i pyetur për ta, Mulaku ka thënë se nuk i njeh, por ai nuk ka mohuar t’i ketë thënë dikujt për punësime në Telekom.

“Nuk po e di as për kënd është fjala, unë nuk kam lidhje me Telekomin. Ka mund të ndodhë që gjatë pozitës sa kam qenë kryetar i komunës së Vushtrrisë i kam thanë dikujt shko në Post ose dikun këqyr dhe nëse ka shku dikush në emër tim është diçka tjetër”, ka shtuar ai.

Por Mulaku ka thënë se nuk i ka bërë presion askujt.

“Unë ata persona nuk i kam dërguar edhe nëse i kam thanë dikujt unë nuk i kam bo presion as atij as askujt”, ka përfunduar Mulaku në prononcimin dhënë për arbersh.info.

Gjatë këtij intervistimi ish-kryeshefi i PTK-së, Shyqyri Haxha ka deklaruar se edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu i ka kërkuar punësim të një familjari.

“Mos e merrni shumë personale. Unë çdo gjë që e them këtu është e vërtetë. Jo vetëm rasti që përmenda ka raste edhe tjera që kanë ardhë edhe kanë kërkuar. Unë nuk kam ardh me e goditë sot askënd. Kjo është thënë në një manifestim të PTK-së . Shuj leje atë punë. Pasha Zotin je ardh je afru edhe ke kërkuar “, tha ai.

Por Deliu ka mohuar punësimin madje ka thënë se do të padis Haxhën për shpifje.

“Me bindje të plotë e them se nuk jemi takuar asnjëherë. Ju sot keni shpif. Unë e marr personale, se nuk ua të bëhem objekt i medieve, është në pyetje kredibiliteti im dhe familjes time. Dua që këta përfaqësues kur vijnë të raportojnë të jenë të sinqertë. Unë nuk kam kërkuar asnjëherë të punësohet, dhe nuk jam njohur me z. Haxhën. Unë jam lënduar se është plotësisht e pavërtetë. Po më vjen turp që sot u shndërrua në betejë mes meje dhe teje. Unë do të iniciojë padi. Unë nuk kam qenë asnjëherë në manifestime të PTK-së”, ka thënë deputetja e PDK-së.

Ndryshe intervistimi i kryeshefit të Telekomit, Shyqyri Haxha nga Komisioni Hetimor Parlamentar për PTK dhe Vala ka zgjatur për më shumë se gjashtë orë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme