Google ADS

OAK: Për pushimin e lehonisë barrën kryesore duhet ta ketë Qeveria e Kosovës

08:14 | 15 Qershor 2019
Arbresh.info

Kosova vazhdon të dominojë me numrin më të madh të papunësisë së femrave në rajon.

Papunësia e gjinisë femërore në Kosovë dhe çështja e pushimit të lehonisë mbeten ende probleme të pazgjidhura në këtë vend.

Lidhur me këtë Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që pushimi i lehonisë të paguhet plotësisht nga Qeveria, shkruan arbresh.info.

Doruntina Gashi, Zyrtare për Informim nga Oda e Afarizmit të Kosovës thotë se Ligji për pushimin e lindjes është një çështje që u ndihmon shumë femrave edhe në ndërtimin e karrierës.

Ajo tha se gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70%, ndërsa tre muajt tjerë në vijim pagesa për lehonat bëhet nga Qeveria e Kosovës, me kompensim 50%, shkruan arbresh.info

“Sipas ligjit aktual të punës, neni i 49 pushimi i lehonisë, artikulli 3-“Gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë” dhe artikulli 4”Tre muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë”. P.sh rasti kur një i punësuar ka pagën 600 euro, bizneset paguajnë 70%, të pagës 600 euro, apo 420 euro në muaj, ndërsa kur kalon te pagesa e shtetit i cili është i detyruar të paguaj 50% të pagës mesatare, nga 420 euro që merr nga biznesi, shteti e paguan tani 237 euro (474 euro është llogaritur paga mesatare nga MPMS.)”, deklaroi Gashi për arbresh.info.

Si temë me interes nacional që është pushimi i lehonisë Gashi tha se barrën kryesore për këtë duhet ta ketë Qeveria e Kosovës.

“Duke marrë për bazë madhësinë e bizneseve në Kosovë dhe nivelin e punësimit të grave vetëm me 12.6%, është e domosdoshme dhe urgjente ndryshimi i ligjit të punës si dhe heqja barrës së madhe nga bizneset në Kosovë sepse pushimi i lehonisë është interes nacional. Pushimi i lehonisë është politikë përmes së cilës shteti nëse nuk e stimulon, të paktën, të mos e pengoj natalitetin. Si politikë që kryekëput është interes nacional, i takon shtetit të marr barrën kryesore të pushimit të lehonisë” tha ajo

E sa i përket buxhetit të qeverisë së Kosovës, për pushimin e Lehonisë, ajo përmend se 80% e të hyrave të shtetit vijnë nga bizneset, dhe për këtë fakt sipas saj Qeveri duhet të krijoj kushte më të mira dhe të ndaj buxhet për këtë pjesë.

“Dihet qartë fakti se 80% e të hyrave të shtetit vijnë nga bizneset, andaj shteti duhet të krijoj kushte më të mira për bizneset që ato të zhvillohen e të prosperojnë, dhe të ndajë buxhetin edhe për këtë pjesë”, deklaroi Gashi.

Sipas Gashit edhe diskriminimi i shumëfishtë për femrat në Kosovë dhe mos krijimi i kushteve në vendet e punës ka bërë që papunësia më e madhe t’i përkas kësaj gjinie.

“Me ligjin aktual femra në Kosovës është e diskriminuar shumëfish, ajo është  e privuar ose nga puna (karriera) ose nga zgjerimi i familjes. OAK kërkon që femrat kosovare duhet të trajtohen si ato të rajonit, të stimulohen dhe të rritet popullsia. Kosova vazhdon të jetë vendi me papunësinë më të madhe të femrave në rajon. Në Kosovë vetëm 12.6% të femrave janë të punësuara. Kjo ndodhë për shkak të disa arsyeve dhe një nga arsyet kryesore që po e pengon rritjen e punësimit të femrave është detyrimi i bizneseve që të paguajnë dy paga për një vend pune”, është shprehur ajo.

E projektligji i paraparë më herët nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, se pushimi i lehonisë duhet t’u takoj të dy prindërve, Gashi thotë se nëse do respektohej ligji atëherë të dy prindërit do t’i gëzonin të drejtat e veta me rastin e lindjes së fëmijës.

“Me pikën 7-të të nenit 49- të, Pushimi i Lehonisë është i rregulluar që babai i fëmijës mund të marrë të drejtat e nënës, nëse nëna vdes ose e braktisë fëmijën para se të përfundojë pushimi i lehonisë, ndërsa pika 8-të thotë që të drejtat nga paragrafi 4. dhe 5. i këtij neni mund të barten tek babai i fëmijës në marrëveshje me nënën. Nëse do respektohej ligji edhe babai do të duhej të gëzoj të drejtat e veta si prind me rastin e lindjes së fëmijës” theksoi Gashi. 

Statistikat të cilat kanë sjellë Oda e Afarizmit të Kosovës tregon shkallën e punësimit të grave në Kosovë dhe rajon, ku Kosova mbetet vendi me papunësinë më të madhe të femrave me 12.6%.

Ndërsa vendi me numrin më të madh të punësimeve të femrave është Shqipëria me 52.10%./E.Haxhiu/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme