Fondacioni “Fundjavë ndryshe” vjen në Prishtinë, ndihmon familjet në nevojë

20:13 | 14 Qershor 2019
A. B.

Fondacioni “Fundjavë ndryshe”, i udhëhequr nga Abër Hajdari dhe Emina Çunmulaj, ka mbajtur një debat me disa të ftuar në Prishtinë.

Themeluesi i këtij fondacioni, Arbër Hajdari, ka thënë se janë të interesuar të ndihmojnë edhe në Kosovë.

“Përmes këtij takimi duam ta hedhim hapin edhe në Kosovë. Tani kemi një projekt që duam ta ndërtojmë dhe është projekt i madh i cili përfshin edhe Kosovën”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Hajdari ka theksuar se ka shumë vende të varfëra në Shqipëri, dhe se sipas tij duhet e tërë shoqëria dhe shteti të ndihmoj për këtë.

“Vendet me problematike janë fshatrat e Shkodrës. Ka vende të varfra edhe në jug. Mirëpo duhet të bëhemi bashkë që të ndihmojmë, sepse nuk mjafton vetëm fondacioni ‘Fundjavë ndryshe’ që të ndërtojë ndonjë shtëpi. Duhet e tërë shoqëria, faktori shtet, dhe vetëdijesimi i njerëzve të ndihmojë që të ecim përpara”, ka thënë ai.

Zëvendëspresidentja e fondacionit “Fundjavë ndryshe”, Emina Çunmulaj, ka thënë se çdoherë ka dashur të ndihmojë të tjerët që jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

Ajo ka thënë se do të hedhin hapat e parë të ndihmës edhe në Kosovë.

“Kam dashur të vij në Kosovë që të ndihmoj edhe kosovarët. Pas këtij takimi ne do të takojmë një familje këtu në Prishtinë që jeton në kushte të vështira. Ne do tua japim frerët pastaj juve në dorë”, ka theksuar ajo.

Çunmulaj ka thënë se beson tek donatorët të cilët japin.

“Besoj tek vetja ime, besoj tek donatoret që japin. Dua që atë që bëjë ta bëjë me dorën time, t’iu ndihmojë të tjerëve vet, mos t’ia lë në dorë askujt”, është shprehur ajo duke kujtuar me emocione të shumta momentet më të vështira kur i ishte bashkuar fondacionit.

“Momenti më i vështirë ka qenë kur kemi vizituar një familje ku gruaja kishte burrin e verbër dhe vajzën e sëmur. Ajo nuk kishte askënd tjetër dhe kishte dal për të mbledhur çaj, e thoshte që nuk ka kush t’ia blej. Ne ia dërguam disa pako me gjëra elementare dhe ajo u gëzua shumë. E në fund më tha kthehu për Bajram, se të premtoj që do ta jap një pije”, ka treguar ajo me lot në sy.

Ndryshe ky fondacion ka në plan ta ndërtoj qendrën e cila përfshinë një shkollë, një qendër rehabilitimi, dhe një pjesë ku donatorët mund të dhurojnë atë që duan. Ky projekt parashihet të jetë më i madhi në Ballkanin Perendimor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme