Thellohet kriza në Telekom, s’ka pare për qiratë e antenave

19:50 | 13 Qershor 2019
Arbresh.info

Zakonisht, në datën 6 të secilit muaj, Aziz Gucati nga Skenderaj, paguan obligimet e tij mujore si shpenzimet e ujësjellësit, tatime komunale e energjinë elektrike.

Por këtë të fundit, tash e dy muaj, nuk po e paguan dhe jo për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, raporton KTV.

Borxhi për këta dy muaj i ka mbërritur në mbi 300 euro dhe faturat janë më të larta se të një shtëpie të zakonshme, pasi në pronën e tij është e vendosur një antenë për shpërndarje të rrjetit, qysh prej vitit 2006.

Dhe për të, Telekomi i ka paguar vetëm 2 prej gjashtë muajve të qerasë dhe shpenzime të energjisë elektrike.

Vonesat me pagesa për qiranë i ka konfirmuar zyra për media e Telekomit, e një gjë të tillë e kanë arsyetuar me gjendjen e vështirë financiare të ndërmarrjes.

“Sa i përket pagesës së qirasë, siç dihet për shkak të vështirësive financiare, kohët e fundit Telekomi i Kosovës ka kërkuar mirëkuptim te operatorët ekonomikë për arsye të vonesës në procedimin e pagesave me kohë. Si rrjedhojë, në shumicën e rasteve kemi vonesa të pagesës së qirave me operatorë të caktuar, përfshirë edhe për rastin në fjalë dhe bëhet fjalë mesatarisht për tre deri katër qira të papaguara mujore”, ka thënë Arsim Bilalli, zëdhënës në Telekom.

Por, Gucati, nga komunikimi me persona kompetent brenda Telekomit, thotë të ketë indikacione se dikujt po i paguhet qiraja e dikujt jo.

Megjithatë, Telekomi, në vazhdimësi, është duke kërkuar një rrugëdalje për t’i ikur kolapsit financiar.

Tani, përballë kërkesave për shlyerjen e borxhit prej 25 milionë eurosh ndaj Z-Mobile, Telekomi ka kërkuar një garanci shtetërore nga qeveria, që të futet në kredi.

Lulzim Rafuna, këshilltar i Ministrit të Financave, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se kërkesa është bërë më 27 maj, dhe se është themeluar ekipi për shqyrtimin e saj.

Varësisht nga nevoja për informata shtesë, nga dita e kompletimit të kërkesës, ekipi në fjalë, sipas Rafunës, jep rekomandimin.

“Kërkesa, sipas Ligjit për Borxhin Publik, ka ardhur nga Telekomi me datë 27.05.2019, kurse është konfirmuar nga MZHE-ja me datën 29.05.2019. Pas sqarimeve të nevojshme përmes shkresave, me datën 05.06.2019 është themeluar, me vendim të ministrit, ekipi për shqyrtimin e kërkesës. Ekipi ka filluar trajtimin dhe, sipas ligjit, mund të kërkojë informata shtesë.
Afatet ligjore, sipas rregullores, janë 30 ditë nga kompletimi i kërkesës, bëhet rekomandimi nga ekipi. Prandaj, në varësi të nevojës për informata shtesë rrjedhin edhe afatet”, ka thënë Lulzim Rafuna, këshilltar në Ministrinë e Financave.

Sipas Fatban Bunjakut, nga Komiteti për Komunikime Elektronike dhe Postare, janë disa veprime që do të mund t’i ndërmerrte ndërmarrja, për të përmirësuar gjendjen.

Mosvazhdimi i kontratës me Z-Mobile dhe implementimi i kodit +383, janë disa prej tyre.

Muajin e kaluar u raportua për një kërkesë që Bordi i kishte bërë qeverisë për kthimin e dividentës së paguar në vitin 2015, në vlerë prej 15 milionë eurosh, nën pretendimet se ajo ishte paguar jashtëligjshëm.

Lidhur më ketë kërkesë, Ministria e Financave ka udhëzuar bordin e Telekomit që rastin ta dërgojë pranë gjykatave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme