Google ADS

Fëmijët e Kosovës punojnë si “skllevër”, Kuvendi zvarrit ligjin që 6 vjet

12:38 | 13 Qershor 2019
V. S.

 Kosova ende vazhdon të mos ketë ligj për mbrojtjen e fëmijëve.  Edhe pse para 6 vjetëve Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve është iniciuar, ende një i tillë nuk ka  arritur të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

E derisa fëmijët e Kosovës nuk kanë ligj me të cilën do të kishin mundësi të mbroheshin, një numër i madh i tyre për shkak të kushteve të rënda ekonomike, detyrimit nga familjarët, bëjnë punë të rënda që në fakt nuk janë për ata, raporton Syri.net Kosova.

Ndaj edhe këtë vit Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, që shënohet me 12 qershor, e gjeti Kosovën në situatë të tillë dhe mjaft shqetësuese.

Kështu deklaron edhe Lirie Kajtazi, anëtare e Komisionit Parlamentar për të Drejta të Njeriut.  Ajo thotë se projektligji është shumë i nevojshëm për mbrojtje të të drejtave të fëmijëve dhe se zvarritja që po bëhet nga ana e Kryesisë është e pafalshme.

“Ka kohë që Komisioni për Drejta Të Njeriut e ka perfundu punën dhe ia ka percjellë Kryesisë. E pafalshne është zvarritja nga ata, për të cilën nuk kam spjegim, pos të shtoj se kur kanë çeshtje e ligje nga kategori interesi e biznesi janë të gatshëm për t’ju pergjigjë”, ka thënë Kajtazi për Syri.net Kosova.

Në këtë aspekt më të zëshëm kanë qenë koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve  KOMF, të cilat vashdimisht kanë bërë presion ndaj insitucioneve përgjegjëse që projektligji të miratohet sa më parë.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në Janar të vitit 2018 ka publikuar edhe Indeksin për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0, një mjet monitorues mbi përpjekjet e qeverisë për të ofruar mbrojtje për fëmijët.

Rezultatet e Indeksit tregojnë se ka një qasje të kufizuar nga institucionet relevante për t’u ofruar mbrojtje fëmijëve.

“Kjo do të thotë se Kosova si shtet nuk po e trajton fare çështjen e fëmijëve që punojnë në rrugë dhe në të njëjtën kohë nuk po ndërmerr asnjë iniciativë dhe/ose nuk po ndërhyn në nivel të politikave dhe shërbimeve për të mbrojtur këta fëmijë”, thuhet në përgjigjen e KOMF, për Syri.net Kosova.

Nga rezultatet e nxjerrura të KOMF,  gjendja e fëmijëve në Kosovë është e rëndë.

“Të dhënat e fundit flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve prej 20.7%. 10.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8% prej tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 % e fëmijëve në Kosovë kanë deklaruar që kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit, kur është bërë hulumtimi.  Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasjë në shërbime cilësore shëndetësore, sociale dhe arsim”, ka thënë Loreta Keqekolla nga KOMF.

Duke patur për bazë gjendjen e rëndë të fëmijëve në Kosovë, KOMF kërkon nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ta vë prioritet dhe të miratojë Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Në lidhje me këtë është në dijeni edhe ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila për Syri.net Kosova bën me dije se duke marr parasysh situatën aktuale të fëmijëve të përfshirë në punë të rënda dhe duke u bazuar në rekomandimet e dala nga raportit progresit, ka ndërmarr disa veprime konkrete për vitin 2019.

“Janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës për parandalimin dhe eliminimin e punëve të rënda të fëmijëve. Gjithashtu nga shumica e kryetareve të komunave kemi nxjerrë vendim për themelimin e Komiteteve Lokale të Veprimit për parandalimin e punës së rëndë të fëmijëve. Kjo marrëveshje e bashkëpunimit ka për qëllim të rregullojë dhe koordinoj aktivitete të institucioneve në nivelin qendror dhe lokal për mbrojtjen e fëmijëve nga eksploatimi ekonomik dhe nga kryerja e punëve që pengojnë edukimin e tyre ose që janë të dëmshme për shëndetin dhe zhvillimin psiko-fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror të fëmijës”, thuhet në përgjigjen e MPMS për Syri.net Kosova.

Të dhëna nga Policia e Kosovës, flasin për shifra shqetësuese derisa kryeqyteti paraqitet me numrin më të madh të rasteve të evidentuara të fëmijëve që bëjnë punë të rënda, ku përfshihet edhe dukuria e kërkim lëmoshës.

Ndërsa sipas zyrës së Informimit të Policisë së Kosovës, vetëm për katër muajt e parë të këtij viti janë identifikuar gjithsej 46 raste të fëmijëve që bëjnë punë të rënda krahu.

Ndalimin e punëve të renda për fëmijë e parasheh edhe Projektligjii inicuar për Mbrojtjen e Fëmijës, në nënin 49, pika 1 citohet:” Mosha minimale për punësim përcaktohet me ligj duke marrë parasysh kohën e nevojshme që i nevojitet fëmijës për të arritur pjekurinë e duhur fizike dhe mendore dhe për të përfunduar arsimin bazë. Ndalohet angazhimi i fëmijës nën moshën minimale për punësim në ndonjë marrëdhënie pune, të paguar ose jo. 2. Asnjë punëdhënës nuk mund të punësojë dhe lidhë kontratë pune me ndonjë fëmijë nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç. 3. Marrëdhënia e punës mund të themelohet me fëmijën nga pesëmbëdhjetë (15) vjeç deri në tetëmbëdhjetë (18) vjeç. 4. Fëmija mund të punësohet vetëm në aktivitete ekonomike që nuk janë të dëmshme për zhvillimin dhe shëndetin e fëmijës, posaçërisht nuk i pengojnë që të vijojnë shkollimin dhe shfrytëzimin e kohës së lirë, si dhe nëse ajo punë nuk është e ndaluar me legjislacionin në fuqi. E lejuar është edhe puna e cila është pjesë e praktikës profesionale dhe nën mbikëqyrjen përkatëse, pasi të jenë evidentuar dhe eliminuar të gjitha rreziqet.”

E po ashtu në nenin 50 Puna e ndaluar për fëmijë thuhet:1.Ndalohet punësimi i fëmijës në aktivitete që dëmtojnë sigurinë, shëndetin, moralin dhe zhvillimin psikofizik të fëmijës, si rezultat i mungesës së përvojës dhe njohurive për kryerjen e punëve dhe detyrave të punës.

Ndryshe, në vitin 2013 ka filluar hartimi i Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, ku projektligji kishte kaluar përmes konsultimeve të hollësishme me institucionet vendore, atyre ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve u miratua në leximin e parë më 15 tetor 2018, dhe nga ajo kohë nuk është ndërmarrë ndonjë hap i mëtutjeshëm.

Derisa lidhur me këtë Ismet Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit, për Syri.net Kosova, ka thënë se projektligji është në pritje për shqyrtim të dytë në seancë plenare, pa dhënë ndonjë afat të caktuar se kur pritet të bëhet një gjë e tillë.

Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve ishte cilësuar si sfidë për Kosovën edhe në raportet e progresit të Komisionit Evropian.

Në botë mbi 215 milionë djem dhe vajza punojnë, ndërsa 115 milionë prej tyre janë të ekspozuar ndaj forcave më të këqija të punës.

Image

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme