Një paraqitje të jashtëzakonshme ka pasur Kombëtarja e Kosovës në hendboll. Të mërkurën para rreth 1400 shikuesve në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet është përballur me Poloninë, superfuqinë botërore të hendbollit, kurse ndeshja ka përfunduar me rezultat të barabartë, 23:23.
Kombëtarja jonë ishte shumë pranë fitores, por polakët ia dolën që të barazojnë rezultatin në sekondën e fundit të ndeshjes.
Djelmoshat tanë kanë luftuar maksimalisht ndaj polakëve shtatgjatë dhe kanë dominuar në parket. E kanë merituar plotësisht fitoren, por pa të mbeten vetëm në mungesë të fatit e ndoshta edhe të përvojës në ndeshje të mëdha evropiane. Të pranosh dy gola në minutën e fundit, do të jetë shkollë e mirë për djelmoshat tanë që tashmë po përballen me plot sukses me secilin kundështar evropian.
Kombëtarja jonë e hendbollistëve ka hapur më mirë ndeshjen dhe me lloj-lloj gjuajtjesh të Valon Dedajt, Deniz Terziqit, Enis Kabashit e të tjerëve, e poashtu me mbrojtje të çeliktë, ka krijuar epërsi deri në tri gola. 7:4, 8:5 ishte rezultati në pjesën e parë në të mirë të Kosovës. Polakët në fund ia dolën të afrohen në një gol dhe pjesa e parë përfundoi 14:13 për Kosovën.
Me lojë të mirë në mbrojtje e poashtu në sulm, Kosova vazhdoi edhe në pjesën e dytë.
Haris Berisha ishte i jashtëzakonshëm, ndërsa mbrotjen në nivel të lartë të detyrës e mbanin edhe të gjithë lojtarët si Luigj Quni, Petrit Prekazi, Kastriot Jupa, vëllezërit Tahirukaj, Gashi por edhe të tjerët. 20:16 ishte epërsia jonë pas minutës së 45-të e më pas 21:17 në minutën e 51-të. Kabashi shënoi për 22:19 në minutën e 55-të, kurse polakët me përvojë nisën të afrohen në rezultat. Prej minutës së 56-të deri në minutën e 58-të rezultati ishte 22:20 e në fillim të minutës së 59-të u bë 22:21. Por Quni shënoi për 23:21, ndërsa mbeti edhe një minut lojë. Menjëherë polakët ngushtuan në 23:22 dhe djelmoshat tanë mbajtën topin në një aksion të gjatë.
Taip Ramadani mori një pushim, por më pas u bë një ndërhyrje në sulm dhe polakët me kundërsulm të shpejtë arritën te goli saktësisht në sekondën e fundit. Vendimi për faul në sulm ndoshta ishte diskutabil, por barazimi megjithatë nuk zbeh aspak paraqitjen e jashtëzakonshme të djelmoshave tanë. Të gjithë që luajtën ishin në nivel shumë të lartë, por kontribut dhanë edhe ata në bankë, duke përkrahur vazhdimisht skuadrën.
Edhe atmosfera ishte e bukur dhe në fund mungoi vetëm fitorja. Por barazimi me Poloninë është me shije të fitores. Polonia ka suksese në ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare, por me Kosovën e trimëruar, iu gëzua shumë një barazimi që e mori me shumë fat.
Për Kosovën është kjo pika e tretë në fazën e dytë eliminatore për kampionatin evropian të vitit tjetër. Tani na pret ndeshja e vështirë me Gjermaninë në Nurnberg, të dielen. Jemi ende në garë për kualifikim në Evropian, por jo çdo gjë varet nga ne.
U kualifikuam apo jo, ky mbetet një cikël shumë i suksesshëm për Kombëtaren tonë. Djelmoshat dhe stafi teknik i udhëhequr nga Taip Ramadani meritojnë respekt e përkrahje maksimale.
Kosova – Polonia 23:23 (14:13)
Kosova: Kastriot Jupa 3, Florim Hoxha 2, Bashkim Gashi 1, Lindrit Fetahu, Enis Kabashi 5, Valon Dedaj 5, Lulzim Shabani, Deniz Teriziqi 3, Armir Agushi, Egzon Gjuka 1, Petrit Prekazi, Luigj Quni 1, Drilon Tahirukaj 1, Drenit Tahirukaj 1, Haris Berisha
GRUPI 1 – Faza 2 e Kualifikimeve
Kosova – Polonia 23:23
Izraeli – Gjermani 25:40
1. Gjermania 5 10
2. Izraeli 5 4
3. Polonia 5 3
4. Kosova 5 3
E diel
Polonia – Izraeli (18.00)
Gjermania – Kosova (18.00).
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”
Dhjetra të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë dhe Liban
Asociacioni “do të jetë” kusht edhe për BE, thotë Guerot
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...