Objekti i ri i Klinikës Emergjente në QKUK nuk është i përshtatshëm për të kryer funksionin për të cilin edhe u investuan miliona euro.
Kjo klinikë ka qenë e paraparë të vihet në funksion në qershor të këtij vitit, mirëpo pacientët nuk do të kenë mundësi të shërohen në sallat e kësaj klinike edhe për shumë muaj.
Madje në bazë të parametrave të ndërtimit, klinika e re nëse funksionalizohet siç është tani rrezikon jetën e pacientëve dhe personelit mjekësor.
Për ndërtimin e këtij objekti Ministria e Shëndetësi ka ndarë 8,1 milionë euro dhe përmes tenderit ka angazhuar kompaninë “Al-Trade” për realizimin e projektit, shkruan Gazeta inFokus.
Por në bazë të një raporti të cilën e ka bërë kompania e cila merret me vlerësimin e objekteve shëndetësor “Coning” objekti nuk mund të kryej funksionin e Klinikës Emergjente.
Hapësirat e sallave, vendosja jo e duhur e sistemit të trajtimit të ajrit, mos ndarja e zonave me mure me qëndrueshmëri ndaj zjarri janë disa nga problemet të cilat i ka paraqitur ky raport.
Por për të gjitha këto Ministria e Shëndetësisë e fajëson kompaninë “Al-Trade” për mos kryerje të punës në mënyrë profesionale.
Ndërsa raportin e kompanisë “Coning” e quan të njëanshme.
Kurse në Al-Trade thonë se planin e këtij objekti e ka bërë Ministria e Shëndetësi dhe për parregullsitë ky institucion është njoftuar në vitin 2018. Mirëpo MSH-ja sipas tyre nuk ka dhënë asnjë përgjigje për vërejtjet teknike.
“Coning”: “Emergjenca e rrezikshme për pacientët dhe personelin”
Sipas vlerësimeve nga kompania “Coning” në bazë të standardeve për objekte shëndetësore ky objekt ka një mori problemesh të cilët e bëjnë jo të përshtatshëm për shërbime emergjente.
Sipas këtij raporti të cilin ka siguruar Gazeta inFokus në bazë të analizave të bëra del se jeta e pacientëve është e rrezikuar për mungesë të theksuar për qasje të shpejtë në hapësirat të cilat duhet të ofrojnë shërbimin mjekësore që në minutat e parë të arritjes.
Gjithashtu sipas këtij raportit fleksibiliteti është minimal në përshtatje në raste të emergjencave të mëdha si dhe në rast të rritjes apo zvogëlimit të kërkesës shëndetësore.
Ky objekt sipas vlerësimeve nuk garanton mbrojtje të pacientëve dhe përdoruesve të objektit nga infeksionet intra-hospitalore për arsye të përdorimit jo adekuat të sistemit të trajtimit të ajrit si dhe të përzierjes së rrugëve të pastra me ato të papastërta.
Objekti dhe siguria e personave që janë përdorues të hapësirave të objektit janë shumë të cenueshëm nga zjarri për arsye të mos ndarjes së zonave me dyer apo mure me qëndrueshmëri ndaj zjarrit.
Gjithashtu hapësirat e dedikuara për raste emergjente janë tejet të dimensionuar në raport me kërkesën për shërbime emergjente.
Por këto nuk janë të vetmet problem sipas këtij raporti. Në raport janë evidentuar edhe një mori defektesh në këtë objekt që buxhetit të shtetit i kushton miliona euro.
Për MSh-në raporti është një anshëm
Për krejt këto defekte Ministria e Shëndetësisë e akuzon kompaninë për mos kryerjen e punës si duhet.
Sipas përgjigjeve që Gazeta inFokus ka marrë nga zyra për komunikim në Ministrinë e Shëndetësisë kompania “AL Trade”, nuk ka ofruar një punë profesionale.
“Punë-kryesi “Al Trade” si përgjegjës për realizim të punimeve mbi bazën e kontratës së nënshkruar– nuk ka ofruar dinamikë të kënaqshme të punimeve, nuk ka ofruar një bashkëpunim mbi vlerat profesionale mbi të cilat ishte vlerësuar në proceset e përzgjedhjes dhe në proces e sipër ka ngadalësuar procesin e punimeve”, thuhet në përgjigjet e MSH-së.
Objekti i ri i Klinikës Emergjente ka qenë e paraparë të vihet në funksion në qershor të këtij viti.
Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë thënë se MSH-ja ka kërkuar nga punëkryesi të bëjë rishikimin e planit dinamik 2019, por ky plan akoma nuk është sjellë.
Ministria e Shëndetësisë e pranon që ka pranuar një raport nga kompania “AL-trade” por sipas tyre ky raport është i një anshëm.
“Kompania përmes këtij raportit i cili ishte i njëanshëm pretendon në defekte dhe mangësi që nuk i përkasin kompetencës dhe përgjegjëses së një punë-kryesi të kontraktuar dhe si i tillë tejkalon misionin e tij si punë-kryes” thuhet ndër tjerash në përgjigjet e MSH-së.
“Al –Trade” akuzon MSH-së për defektet në objektin e emergjencës
Këtë raport kompania “Al trade” e cila është marrë më ndërtimin e këtij objektit e ka dorëzuar që në vitin 2018 në Ministrinë e Shëndetësisë.
Por sipas menaxherit të kompanisë “AL-Trade”, Leonit Gecaj, ky institucion nuk ka marrë as një hap për të ndryshuar gjendjen.
“Autoritetit kontraktues e ka raportin që nga viti 2018 dhe ende nuk ka dhënë as një koment në lidhje me zgjidhjen apo trajnimin e atyre problemeve të cilat nuk janë vetëm teknike por problem të cilat ndikojnë direkt dhe në funksionin e objektit”, ka thënë Gecaj për gazetën inFokus
Gjithashtu Gecaj ka thënë se fajtore për këtë mos përshtatje është Ministria pasiqë dhe projekti nuk është përgatitur nga kompania, por nga Autoriteti kontraktues, në këtë rast Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga Uran Ismaili.
Gecaj e mohon që raporti është i një anshëm, pasi që sipas tij, është profesional dhe i bazuar në referenca të standardeve për objektet shëndetësor.
“Raporti nga kompania “Coning” është profesional dhe i bazuar në referenca të standardeve për objektet shëndetësore pavarësisht nëse dikush e quan te një anshme, ato probleme kërkojnë trajtim, dhe ne ende nuk kemi ndonjë përgjigje nëse duhet te vazhdohet me projektin bazik, apo mendojnë të revidojnë”, ka thënë Gecaj./Gazeta inFokus/
Sot pritet të fillojnë punimet në rrugën “Rexhep Luci” në Pr...
Sot mbahet takimi i radhës i Komitetit Ndërministror për të ...
Parashikimi i motit për sot
Jaha: Më 9 shkurt LDK-ja do të rikthehet si partia e parë në...
Katër vitamina dhe minerale të nevojshme për çdo shqiptar
“E di që do të na mungoj”, Arioni flet i përlotur pas largim...