Studenti gjerman përleshet me ariun në Rumani

11:05 | 11 Qershor 2019
Arbresh.info

Një student gjerman që po kryen studimet për doktoratë është përleshur me një arushë në malet rumune.

Ai arriti të largojë kafshën vetëm pasi e dashura i tha ta godiste në sy, transmeton portali arbresh.info.

26-vjeçari kishte takimin e pakëndshëm me arushën dhe dy këlyshët e saj gjatë një vizite në malet e Karpateve dhe u detyrua të luftojë për jetën kur kafsha e sulmoi.

Studenti nga Berlini Andi Bauer ishte në një udhëtim pesë-ditor në Rumani me të dashurën e tij britanike, Lara Booth.

Ndërsa malet Karpate janë shtëpi për disa mijëra arinj të murrmë, Bauer tha se ai nuk e vuri re kafshën derisa ai qëndronte një hap larg prej saj dhe këlyshëve.

“Unë isha i kthyer me shpinë nga ariu, kështu që kur e pashë nuk kisha kohë të mendoja se çfarë të bëja”, tha ai për South West News Service

“Ajo më kafshoi këmbën, dhe më tërhoqi dhe hodhi. Bërtisja për ndihmë, por nuk kishte kush të më ndihmonte”, shtoi ai më tej.

Fatmirësisht, të dashurës së tij iu kujtua se kishte lexuar diku që ariun duhej goditur në sy dhe kështu bëri Andi, gjë e cila i shpëtoi jetën.

Bauer u transportua në një spital rumun në një helikopter mjekësor dhe më vonë u transferua në Gjermani, ku ai ende po merr trajtim./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme