Përplasjet tash e disa muaj të liderëve kryesorë institucionalë, përmes deklaratave publike, kanë reflektuar jo-unitet politik dhe institucional të Kosovës karshi çështjeve që janë me interes kombëtar për vendin, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Sipas tyre, përplasjet janë zhvilluar kryesisht ndërmjet presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ato kanë nisur kryekëput për procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe çështjet që janë ndërlidhur me këtë proces, ndonëse kryeministri Haradinaj ishte pajtuar që procesin e dialogut ta drejtonte presidenti. Për më shumë, në këto polemika janë përfshirë edhe liderët tjerë institucionalë, por edhe të partive në opozitë.
Siç thonë njohësit e zhvillimeve politike, përplasjet e liderëve institucionalë të Kosovës më tepër kanë qenë për të shfaqur liderizëm sesa për mbrojtjen e qëndrimeve të tyre parimore.
Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se polemikat dhe përplasjet përmes deklaratave, liderët institucionalë i kanë bërë me qasje të ndryshme, por të cilat, sipas tij, nuk janë të bazuara në platforma dhe strategji të kompletuara.
“Kundërshtimet në mes të liderëve politikë të Kosovës nuk janë bërë mbi bazën e kundërshtimit të strategjive, por të kundërshtimit personal. Pra, ka pasur tendenca për protagoniozëm dhe nuk ka qenë një konfrontim konstruktiv i ideve dhe planeve, në mënyrë që të arrihet deri tek ideja apo plani më i mirë për Kosovën. Mirëpo, kanë qenë beteja të personalizuara, të cilat i kanë bërë dëm Kosovës, sepse nuk e kanë mundësuar arritjen e një pajtueshmërie dhe të një qëndrimi të unifikuar, por kanë krijuar hendeqe të mëdha politike”, theksoi Muhaxhiri.
Thaçi: Nëse s’arrijmë marrëveshje këtë vit, e humbim një dekadë
Mendim të ngjashëm ka edhe Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thekson që polemikat ndërmjet liderëve institucionalë të vendit, kanë treguar që udhëheqësit politikë ende nuk kanë arritur të dalin jashtë petkut partiak dhe secilën kauzë të mundshme në vend, e përdorin për populizëm dhe për vota.
“Më tepër, këto përplasje kanë të bëjnë me çështjen e lidershipit dhe njëkohësisht ndoshta edhe me çështjen e votave dhe përkrahjes në masë dhe në publik, sesa që janë për parime. Deri tash, nuk është se kemi parë shumë parime për sa i përket çështjeve madhore dhe këto janë përplasje kryekëput politike, se kush është më lider dhe kujt po i shkon ideja më tepër. Ne nuk kemi parë asnjë debat në mes liderëve institucionalë sa u përket ideve të tyre, për të parë se cila ide është më e mira dhe për të diskutuar idetë në mënyrë të hapur. Por, më tepër ka qenë një lloj debati nga distanca të liderëve institucionalë lidhur me idetë e tyre”, theksoi Demhasaj.
Sipas njohësve të zhvillimeve politike, përplasjet ndërmjet liderëve institucional kanë nisur pas shpërfaqjes së idesë së presidentit Thaçi për “korrigjim të kufirit” si zgjidhje mundshme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë. Kjo ide është kundërshtuar ashpër nga kryeministri Haradinaj, për të vazhduar më pas me përplasjet lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia.
Me këtë vendim për kohë të gjatë nuk është pajtuar presidenti Thaçi, për shkak se Serbia kishte refuzuar të vazhdojë dialogun pa heqjen e kësaj takse, ndërkohë që institucionet e larta të Kosovës, e në veçanti Qeveria, janë përballur me kritikat e faktorëve ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar pezullimin e masës për taksën.
Analisti Muhaxhiri shpreh mendimin që pa unifikim të qëndrimeve të liderëve institucionalë, qasja e Kosovës ndaj dialogut me Serbinë do të ishte e pafavorshme, por edhe do të ishte e pasigurt nëse ku dialog do të riniste fare.
“Me një kundërshtim kaq të madh të kryeministrit Haradinaj, nuk ka gjasa teorike që të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë, sepse ka shumë kundërshti dhe nuk shihet në horizont mundësia që të ketë një marrëveshje. Pra, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja e kanë seriozisht çështjen e arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, atëherë do të kemi edhe sheshim të këtyre dallimeve dhe arritje të një konsensusi që domosdo nënkupton edhe lëshimin pe të palëve”, vlerësoi Muhaxhiri.
Haradinaj parashikon dy mundësi për vazhdimin e dialogut me Serbinë
Ndërkaq, Demhasaj thotë se pa unifikimin e vetë faktorëve politikë në Kosovë, dilemat te faktorët ndërkombëtar do të jenë shumë më të mëdha.
“Kjo e dëmton tej mase Kosovën, sepse ajo po përfaqësohet në arenën ndërkombëtare me shumë ide. Pra, me ide të ndryshme nga ana e Qeverisë, me ide të ndryshme nga ana e presidentit dhe me ide të ndryshme nga ana e opozitës. Kjo tregon që lidershipi i Kosovës nuk është i unifikuar sa u përket çështjeve madhore, siç është edhe marrëveshja me Serbinë. Kjo e dëmton Kosovën në arenën ndërkombëtare, sepse të gjithë faktorët ndërkombëtarë e shohin që Kosova nuk po flet me një zë, për sa i përket zgjidhjes finale të problemit me Serbinë, por po flasin shumë zëra. Nuk e dinë se kujt t’i besojnë më shumë dhe cilën ide ta përkrahin faktorët ndërkombëtarë. Sidomos vendet që e përkrahin Kosovën, janë në dilemë se cilën ide ta përkrahin”, tha Demhasaj.
Njohësit e zhvillimeve politike theksuan se përplasjet përmes deklaratave e liderëve politikë dhe institucionalë të Kosovës, shpërfaqen si luftë për liderizëm, për më shumë që faktorët më të fuqishëm ndërkombëtarë ende nuk kanë nxjerrë në pah ndonjë plan madhor gjeopolitik dhe gjeostrategjik, pa të cilin, sipas tyre, vështirë se mund të përmbyllet kontesti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./REL
Arsyet përse gripi zgjat dhe nuk largohet lehtë, ja çfarë su...
Çfarë thonë exit poll-et e para?
Notat e lojtarëve: Real Madrid 1-3 Milan, Maignan heroi i ...
Dita e Zgjedhjeve përgjithësisht e qetë, me probleme dhe von...
Çështjet që shqetësojnë votuesit janë demokracia dhe ekonomi...
Kevini mundohet ta puthë Anën, kjo e fundit befason me vepri...