KFOR: Njësitë speciale të Kosovës s’kanë nevojë për leje që të hyjnë në veri

22:12 | 9 Qershor 2019
Arbresh.info

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, ka vazhduar të komentojë aksionin e policisë speciale në veri të vendit ku u arrestuan dhjetëra zyrtarë policorë e doganorë, si dhe disa qytetarë që penguan aksionin policor.

Në një intervistë për emisionin “Slobodno srpski” (Lirshëm serbisht), Grasso ka thënë se ky aksion policor ka qenë i ligjshëm kundër kriminelëve dhe se për këto aksione askund në botë policia nuk e njofton publikun, dhe si rrjedhojë, “as ne s’kemi qenë të informuar”.

“Ai operacion ka qenë operacion policor, dhe në asnjë vend Policia nuk e informon publikun për operacione policore, dhe kështu as ne s’kemi qenë të njoftuar për këtë. Dhe asnjëherë s’kemi thënë se kemi qenë të informuar, e as që e kemi informuar dikë për të”, tha Grasso, ndërsa theksoi se deklarata e bërë pas aksionit policor se “të gjithë kanë qenë të njoftuar paraprakisht për aksionin policor në veri të Kosovës”, është keqinterpretuar.

“Atë që e kam thënë, e që e ka hapur tërë diskutimin, në një intervistë për ‘TV Prva’ mëngjesin e radhës, pas operacionit, ka qenë ‘të gjithë kanë qenë të informuar’. Kjo është përkthyer dhe interpretuar sikur KFOR-i e ka njoftuar dikë, por ajo që kam thënë unë ka qenë se ‘të gjithë kanë qenë të njoftuar’ në kuptimin se informacioni ka qenë i njohur sepse e kemi lexuar atë lajm dhe saktësisht më 17 ka pasur shumë lajme që kanë lajmëruar këtë lloj operacioni dhe të tjera, dhe për këtë kam thënë se s’ka qenë befasi”, ka thënë Grasso.

Aksionin e arrestimit të të dyshuarve për vepra penale, të kryer më 18 maj në veri të Kosovës, Grasso e sheh si operacion legal policor kundër kriminelëve.

“Ka qenë operacion policor, i zhvilluar legalisht nga policia në luftën kundër kriminelëve. Njerëzit e thjeshtë mund të flenë qetë. S’kanë prej çfarë të frikësohen. Kriminelët duhet të shqetësohen për operacione të këtilla. Natyrisht, njerëzit nuk duhet të reagojnë apo të pengojnë punën e policisë. Ata duhet të pajtohen me atë dhe të bashkëpunojnë me policinë kur realizon operacione të tilla. Ata duhet të shmangin ngritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e dhunës, pasi kjo mund të jetë e rrezikshme”, tha Grasso, transmeton Koha.net.

Thotë se në nisje të aksionit, që s’ka qenë i organizuar vetëm për pjesën veriore të vendit, por edhe nëpër komuna tjera, kanë qenë njësi të rregullta policore. Por shton se pas problemeve në të cilat hasën në Zubin Potok, ku u plagos një polic, është ftuar njësia speciale.

“Ky operacion është zhvilluar në pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës, në Zveçan, Leposaviq, Drenas, Skenderaj dhe në Zubin Potok, dhe ky aksion policor është zhvilluar me urdhër të prokurorisë speciale në Prishtinë, qetë dhe normalisht në të gjitha vendet përpos në Zubin Potok. Ajo që ndodhi atë mëngjes në Zubin Potok është pasojë: kur policia ishte në rrugë kah Zubin Potoku, ndërsa me vete nuk kishin pajisjet e rënda e as armë të gjata, ndaj tyre u qëllua me armë zjarri. Një polic u plagos, dhe pastaj u bllokua rruga. Atëherë ata është dashur të thërrasin njësinë speciale e cila ka intervenuar, dhe atëherë patëm atë tensionin i cili, siç kam thënë, për fat mbeti i izoluar në atë pjesë”, potencon zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso.

Duke komentuar deklarimet e shpeshta të politikanëve në Beograd se njësitë speciale të Policisë së Kosovës, sipas një marrëveshjeje me NATO-n, nuk mund të hyjnë në veri të Kosovës pa lejen e KFOR-it dhe pa pajtimin e organeve lokale atje, zëdhënësi i KFOR-it thotë se një marrëveshje e tillë nuk ekziston.

“Policia e Kosovës është një institucion që mund të hyjë e zhvillojë aksione të ndërlidhura me sundimin e ligjit në Kosovë, e pa obliguar që të kërkojë leje. Ajo për çka është folur më parë është një marrëveshje mes, kryeministrit të atëhershëm dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, se forcat e sigurisë së Kosovës, para se të hyjnë në veri, fillimisht duhet të marrin lejen e KFOR-it dhe t’i njoftojnë organet lokale. Por, kjo s’ka ndodhur asnjëherë. FSK-ja s’ka qenë e angazhuar asnjëherë në veri, por ato që po i shohim kohëve të fundit, e të cilat i kemi parë edhe kohë më parë, në fund të vitit të kaluar, janë njësitë speciale të Policisë së Kosovës të cilat zhvillojnë operacione policore, edhe në veri, dhe është krejtësisht në pajtim me rregullat”, theksoi Vincenzo Grasso.

Zëdhënësi Grasso thotë se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë dhe stabile dhe se nuk ekziston asnjë kërcënim serioz ndaj prishjes së paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Por thotë se është retorika dhe propaganda e liderëve politikë nga të dyja anët që ndonjëherë sjell shqetësim mes njerëzve, krijon tensione, pa ndonjë bazë, dëshmi, dhe thotë se “për ne ky është kërcënimi i vërtetë ndaj stabilitetit”.

Megjithatë, kur flet miratimin e tri ligjeve që i miratoi Kuvendi i Kosovës dhe përmes së cilave u formua Ministria e Mbrojtjes, thotë se Kosova s’ka fituar ushtri.

Grasso foli edhe për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, duke thënë se KFOR-i është i gatshëm të ndihmojë në hetimin për vrasësit e tij.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme