Google ADS

Xhandarmëria serbe hyn në Svircë, banorët shqiptarë në mëshirën e fatit

10:03 | 9 Qershor 2019
A Z

Ndonëse jemi 20 vjet nga përfundimi i luftës dhe 11 vite që kur Kosova ka shpallur pavarësinë, për banorët e Svircës nga Komuna e Kamenicës nuk ka qetësi.

Vizitat e xhandarmërisë serbe kohëve të fundit janë shpeshtuar në këtë fshat.

E fundit ishte një veturë me 5 xhandarë serbe të cilën banorët e panë në fshatin e tyre ditë më parë, shkruan arbresh.info.

E kjo ka ngritur shqetësim për dy familjet sa kanë mbetur në Svircë.

Musli Berisha ishte ai i cili u ndesh me xhandarët serbë ditën e 31 majit.

Berisha ka rrëfyer për Arbresh.info, se xhandarët serbë nuk është hera e parë që i shohin në fshatin e tyre.

Duke u shprehur i shqetësuar që institucionet e vendit nuk janë marrë me këtë çështje tash e sa vite, Berisha tregon se xhandarët serbë përdorin rrugët malore.

“Ditë më parë kam parë një veturë me pesë xhandarë serbë. Kanë dalë nga një rrugë malore e fshatit dhe kur më kanë parë më shpejtësinë janë larguar nga një rrugë tjetër alternativë. Kjo s’është hera e parë që i shohim pasi edhe vite më parë kemi parë vetura të xhandarmërisë serbe në fshatin tonë. Ata i përdorin rrugët alternative të pa ndërtuara të malit. Ani pse e din policia e jonë ndonëse është këtu në kufi asnjëherë deri tash nuk ka ardhë me na pyet ose me na vizitu. Na jemi të shqetësuar për këtë se si institucionet tona s’kujdesen për ne”.

Sikur mos të mjaftonte kjo, dy familjet të cilat kanë mbetur në këtë fshat në kufi me Serbinë, jetojnë si në kohën e gurit.

Pamja piktoreske dhe bukuritë që i ka falur natyra në këtë pjesë ia zbehë rruga e parregulluar dhe mungesa e dorës së shtetit.

E ndonëse duket jo shumë reale, Musli Berisha thotë se ata nuk kanë rrymë tash e 20 vite.

Ndërsa tregon se dimrit ata mbesin të izoluar në këtë pjesë.

“Kurrë asnjëherë askush nga politikanët nuk ka ardh me na pa. Pe shihni këtë rrugë, ne për të gjitha nevojat tona i përdorim vetëm traktorët pasi që rruga është e pakalueshme. Jemi dy familje këtu që 20 vite askush s’u ardh me na pa a me na pyet për hallet tona. Ne s’kemi qe 20 vite as rrymë. Tash kanë fillu me ba diçka. Kurrë asnjëherë ndonëse e kanë ditë se kohë pas kohe xhandarmëria serbe shihet në fshatin tonë asnjëherë policia e as politikanët s’kanë ardh me na pa. Për shkak të kushteve të këqija të infrastrukturës fshati është boshatisur ndonëse ka një pamje të mrekullueshme”.

Rrëfimin për xhandarmërinë serbe Berisha e vazhdon më faktin se para dy viteve banorët që kanë kaluar nëpër fshat janë maltretuar nga xhandarët serbë.

Ndërsa thotë se serbët nga Leskovci verës kalojnë nëpër fshatin e tyre me kamionë me dru të cilët i marrin në këtë pjesë.

“Para dy viteve çdo banor që ka kaluar këtej është ndalur dhe maltretuar nga xhandarët serbë. Verës zakonisht i shohim gjithë në këtë pjesë serbë të cilët presin dru dhe këtu nëpër këto rrugë alternative malore kalojnë dhe shkojnë në Leskovc”.

Me shpresën që më në fund pas 20 viteve kjo pjesë të ndije dorën e shtetit të Kosovës, Musli Berisha e përfundon rrëfimin.

Ndryshe fshati Svircë është në brez të kufirit me Serbinë, ndërsa tash e sa vite në këtë pjesë është vendosur edhe një kufi në të cilin janë të vendosur policët kosovarë./V.Selimi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme