Google ADS

Seanca të reja dëgjimore mbi raportin Mueller

20:56 | 8 Qershor 2019
Arbresh.info

Gjatë ditëve të ardhshme pritet të zhvillohen disa seanca me dëshmi mbi raportin e Prokurorit të Posaçëm Mueller mbi ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e 2016. Po shtohet presoni për të vazhduar hetimet që mund të çojnë në hapjen e procesit për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

Por zoti Robert Mueller, i cili ditët e fundit e përmbylli detyrën e prokurorit të posaçëm pas përfundimit të raportit, nuk do të japë dëshmi para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin, i cili do të zhvillojë një seancë me titull: “Mësime nga Raporti Mueller: Ndërhyrje presidenciale dhe vepra të tjera penale”.

Komisioni do të dëgjojë dëshmi të ish-prokurorëve të përgjithshëm dhe ekspertëve të tjerë ligjorë, përfshirë John Dean, dëshmitar kryesor në vitet 1970 gjatë skandalit Watergate dhe ish-këshillar për Presidentin e atëhershëm Richard Nixon. Komisioni thotë se dëshmitarët do të diskutojnë prova të raportit se Presidenti Trump ishte përpjekur të pengonte ose kufizonte hetimet, të cilat përforcuan përfundimet e komunitetit të zbulimit se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje me synimin për të ndihmuar Presidentin Trump të fitonte.

Të mërkurën, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin do të organizojë një seancë të re me synimin për të nxjerrë mësime mbi “ndërlikimet në punën e agjencive të zbulimit” bazuar në konkluzionet e raportit Mueller.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme