SHBA paralajmëron Bashën e Kryemadhin

17:19 | 8 Qershor 2019
Arbresh.info

Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë hapur drejtuesit e opozitës të heqin dorë nga çdo formë dhune në protestat e organizuara prej tyre. Zëvendës Ndihmës-Sekretar i Shtetit në SHBA, Matthew Palmer është i drejtpërdrejtë në mesazhin ndaj kryetarëve të PD e LSI në një intervistë dhënë për Top Channel.

“Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE”.

Zyrtari i lartë amerikan u kujton udhëheqësve të opozitës dhe mbështetësve të saj, se çdo përpjekje për të prishur zgjedhjet në 30 Qershor do të bëjë që ata të përfshihen në listën e personave non grata.

“I kemi paralajmëruar drejtuesit e opozitës të mos pengojnë procesin zgjedhor, çka siç e vërejta, mund të përbënte shkak për të mos u kualifikuar për të hyrë në SHBA”.

Palmer thekson se Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të bëjnë hapa pas nga konfrontimi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik.

“Partitë e opozitës duhet të kërkojnë një shteg drejt dialogut me qeverinë lidhur me reformën zgjedhore. Kemi ofruar këshillat tona të sinqerta mbi një mënyrë për të dalë nga ngërçi. Megjithatë, ka ardhur koha që udhëheqësit shqiptarë të lënë mënjanë interesat e tyre politike dhe të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë. Nuk do ta negociojnë Shtetet e Bashkuara zgjidhjen për ta”.

Zëvendës Ndihmës-Sekretar i Shtetit thotë se palët duhet të punojnë së bashku për të trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR, ku përfshihen një numër çështjesh si blerja e votës, kërcënimi i votuesve, si dhe praktika të tjera që kanë dëmtuar procesin në të kaluarën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme