Halimi tregon pse elektorati nuk po i ndëshkon partitë politike

19:21 | 7 Qershor 2019
Arbresh.info

Drejtor i Institutit të Prishtinës për Studime të Opinionit Publik, Fisnik Halimi, ka folur për incidentet në zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës.

Duke folur për zgjedhjen e kryetarëve me aktakuza, ai ka thënë se është në përgjegjësinë e kryetarit të PDK-së që ta marr rolin e liderit dhe të përballët me situatat.

Sipas tij, njerëzit të cilët nuk kanë të kaluar të pastër nuk duhet të mbetën në krye të degëve.

“Është e vërtetë që rreth 55 mijë njerëz kanë marrë pjesë në zgjedhjet e brendshme të PDK-së e që është numër shumë i lartë. Besoj që shifra të tilla do të dalin edhe për LDK-në, sepse janë parti më të vjetra”, ka thënë ai në KTV.

Ai thotë se, në Kosovë është krijuar një kulturë e politikbërjes që dënimi nuk vjen nga elektorati.

“Ne kemi nevojë të punojmë dhe ta pjekim demokracinë kosovare. Duhet aksion dhe emancipim i përgjithshëm”, ka thënë ai.

Lidhur me publikimin e fotografisë së rrejshme të Flora Brovinës, ai u shpreh pesimist se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka qenë prapa saj.

E, për rivalitetin mes ish të parit të PDK-së, Hashim Thaçit dhe kryetarit aktual të partisë, Kadri Veselit, ai tha se është shumë e vështirë të bëhet politikë në trashëgimi të Thaçit.

“Një gjë është e vërtetë, ka një vit e gjysmë që Veseli e ka kaluar në popullaritet Hashim Thaçin. Është naive me pa se Veseli nuk ka popullaritet në PDK. Veseli është jashtëzakonisht autoritativ brenda PDK-së”, ka thënë ai.

Ai thotë se ka njerëz që e preferojnë Thaçin para kryetarit aktual të PDK-së.

Sipas Halimit, duhet të bëhet më shumë për të ndryshuar kulturën politike të Kosovës, pasi që sipas tij, partitë janë të bëra nga një brumë i njëjtë.

Ai ka thënë se PSD-ja është një parti e cila ka sjellë një frymë të re.

Ai thotë se sipas matjeve të institutit, PDK-ja ka qenë për një vit e gjysmë partia e dytë pas LDK-së, e pastaj në matjet e fundit ka qenë e para.

“Votuesi i PDK-së është më i lidhur me partinë se sa çdo votues tjetër, mund të jenë vendet e punës”, tha ai.

Lidhur me njoftimin se ai është bashkuar me PDK-në, ai ka thënë se nuk është pjesë e kësaj partie e as nuk ka qenë, derisa ka shtuar se nuk planifikon të jetë pjesë e politikës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme