Google ADS

Kryetari Bahtiri i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të pengojnë kolonizimin e mëtejshëm të veriut

15:17 | 7 Qershor 2019
Arditë Shkodra

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim përfaqësuesit e Lagjes “Kroi i Vitakut”, Skender Rama, Ramadan Ademi si dhe Musa Haliti, të cilët njoftuan kryetarin Bahtiri se serbët në atë pjesë kanë filluar ndërtimin e disa shtëpive dhe kjo është e papranueshme nga ana e tyre sepse asnjë shtëpi e banorëve serb nuk duhet të ndërtohet përderisa nuk lejohet ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në atë pjesë.

Skender Rama, banor i lagjes “Kroi i Vitakut”, ka kërkuar që shqiptarët nga pjesa veriore e Mitrovicës, duhet të kenë mbështetjen e nivelit qendrore për një jetë stabile dhe të qëndrueshme.

‘Ne si banorë të kësaj lagje kemi qenë gjithmonë për bashkëjetesë, mirëpo asnjë shtëpi e banorëve serb nuk duhet të ndërtohet përderisa nuk lejohet ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve dhe ne me mundësit tona do të vazhdojmë me pengimin e punimeve”, ka thënë z. Rama.

Ai më tutje ka bërë të ditur që të gjithë banorët shqiptarë janë të pajtimit që të iniciojnë një peticion me të cilin do të kërkohet nga institucionet e nivelit qendror që të pengohet ndërtimi i banesave dhe shtëpive serbe.

Kryetari Bahtiri i cili më shumë vëmendje ka dëgjuar të gjitha shqetësimit e këtyre banoreve, ka thënë se në të gjitha takimet e tij me përfaqësues të nivelit qendror dhe atë ndërkombëtarë ka ngritur zërin për 13 mijë shqiptarët e dëbuar me dhunë nga veriu i Kosovës, e veçanërisht nga pjesa veriore e Mitrovicës, të cilët akoma nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërkohë vazhdojnë të jetojnë si refugjatë në pjesën jugore të qytetit dhe qytete tjera të Kosovës.

“Projektet e tilla kanë për qëllim kolonizimin e veriut dhe ndryshimin e strukturës etnike, duke mundësuar kështu kthimin e serbëve që asnjëherë nuk kanë jetuar në Kosovë andaj i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës dhe organeve tjera kompetente që mos t’i mbyllin sytë përballë kësaj situate të krijuar e cila nuk i konvenon bashkëjetesës së qytetarëve të Mitrovicës”, ka thënë kryetari Bahtiri./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme