Prioritet në agjendën e Qeverisë së Kosovës thuhet se mbetet zhvillimi ekonomik, por që ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se politika në realitet dominon dhe sundon në aspektin negativ ekonominë.
Detyra kryesore e shtetit në raport me ekonominë, në çdo vend të zhvilluar, është krijimi dhe miratimi i ligjeve, mbi të cilën zhvillohet aktiviteti ekonomik.
Profesori i Ekonomisë, Musa Limani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se pikërisht neglizhenca e politikës ka bërë që Kosova mos të ketë politika makro- ekonomike, strategji zhvillimore dhe vizion të qartë.
Kjo sipas tij, ka sjellë vendin në një krizë ekonomike.
“Faktikisht ne nuk mund të flasim për zhvillimin ekonomik në Kosovë. Ne mund të flasim për moszhvillimin,përkatësisht unë do të thosha për shkatërrimin e ekonomisë se Kosovës“.
“Prandaj, me përgjegjësi të plotë profesionale, them se pas përfundimit të luftës, në vend që rrjedhat ekonomike të ecin me trendët pozitive, për fat të keq, ne kemi trende negative. Kemi sjellë ekonominë e Kosovës para një krize shumë të thellë, e kemi futur në një rrugë pa rrugë”, tha Limani
Përfaqësues të bizneseve në Kosovë, ndërkaq theksojnë se politika dhe ekonomia janë shtyllat kryesore për funksionimin e shtetit. Zhvillimet e caktuara ekonomike kanë ndikime të rëndësishme edhe në zhvillimet politike.
Por, megjithatë Samir Krasniqi, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, thekson se duke marrë për bazë problemet me të cilat përballet sektori privat në Kosovë, lë të kuptohet se politika nuk e ka përfunduar si duhet punën e vet.
“Unë mendoj se vetë fakti se ka korrupsion, ka burokraci, të gjitha hallet dhe telashet që paraqet biznesi çdo ditë, nënkupton se këtu çalon diçka“.
“Do të thotë se politika nuk e ka bërë punën e vet ashtu siç duhet edhe në bazë të saj edhe ekonomia çalon. Ka vështirësi, ka punë shumë për të bërë. Politika duhet të jetë shumë e qartë të bëjë punën e vet, pastaj ekonomia lirshëm mund të zhvillohet”, tha Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Por, Musa Limani, shprehet se përveç nivelit të lartë të korrupsionit, nepotizmit, si faktorë kryesorë që kanë shkatërruar ekonominë, në rrethana të caktuara tregu i lirë në Kosovë nuk arrin të funksionojë në mënyrë të duhur, pikërisht për shkak të aktiviteteve ekonomike jo ligjore, për të cilat shteti duhet të ndërmarrë hapa për parandalim.
“Ekonomia joformale, krimi i organizuar, kontrabanda ekonomike, nuk mund të funksionojnë dhe të futen në një vend pa mbështetje institucionale. Prandaj, kjo tregon se këtu ekziston një dorë e zgjatur e shtetit. Kjo mund të luftohet, mirëpo shteti nuk është i interesuar”, thekson Limani.
Ekspertët e ekonomisë kanë shprehur shqetësimin për mungesë të interesimit të shtetit për përmirësimin e gjendjes së sektorit privat, konkretisht prodhimit./REL
Magjistralja Ferizaj-Prishtinë vërshohet nga uji
Rama uron Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë
Gresa për Rovenën: E sëmurë nga xhelozia
Reagimin e tifozëve në “Old Trafford” kur Ruben Amorim del n...
Dyshime për sulm me bombë në Gjermani, arrestohet i dyshuari
Dhjetori magjik nuk do të jetë dhe aq i ëmbël për disa shenj...