Holanda sjell lajme negative për Shqipërinë

16:58 | 6 Qershor 2019
Arbresh.info

Qeveria holandeze nuk është e bindur për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Dhe jo vetëm për Shqipërinë, por ajo nuk ka ende qëndrim të qartë as për Maqedoninë e Veriut, ashtu siç bëri edhe një vit më parë, duke votuar kundër rekomandimit pa kushte të Komisionit Europian.

Qëndrimin e shprehu Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok gjatë një interpelance në Dhomën e Ulët të parlamentit holandez shkruan Tv Klan

“Shqipëria ka ende rrugë të gjatë për të bërë. Më tepër përparim ka bërë Maqedonia e Veriut. Por ata nuk janë ende aty ku duhet. Ka ende për t’u bërë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit”.

Koalicioni qeverisës në Holandë, por edhe partitë opozitare janë ende të ndara përsa i përket vazhdimit të procesit të zgjerimit me dy vendet e Ballkanit.

Megjithatë, qeveria e Kryeministrit Mark Rutte nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë çështje, qëndrim që pritet ta bëjnë publik në samitin e 20 Qershorit.

Kundër është Partia e Lirisë e euroskeptikut Gert Vilders, i cili e mbështet qeverinë pa qenë e përfshirë në të. Ndërsa parti të tjera të koalicionit qeverisës e mbështesin hapjen e negociatave. Një grup deputetesh holandeze vizituan pak ditë më parë Shqipërinë dhe në rezolutën e tyre nënvizuan përparimin e bërë në disa fusha, veçanërisht në Reformën në Drejtësi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme