Zaev: NATO-ja nuk do të lejonte krijimin e “Shqipërisë së Madhe”

16:07 | 6 Qershor 2019
Arbresh.info

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se do të dorëhiqet nga pozita, nëse në qershor, Bashkimi Evropian, nuk e miraton fillimin e bisedimeve për anëtarësim me vendin e tij.

Në një intervistë për gazetën belge Soar, Zaev ka thënë se BE-ja i ka premtuar Maqedonisë së Veriut caktimin e datës, për faktin se vendi ka përmbushur reformat dhe në veçanti ka realizuar marrëveshjet për ridefinimin e raporteve me Greqinë dhe Bullgarinë, transmeton REL.

Ai ka komentuar edhe raportet e Shqipërisë me BE-në pasi edhe Tirana, sikurse Shkupi, po pret miratimin e vendimit për nisjen e negociatave për anëtarësim.

Zaev tha se nuk beson që në rast se BE-ja nuk e miraton fillimin e negociatave me Shqipërinë, kjo do të çonte në krijimin e një “Shqipërie të Madhe”, pasi sipas tij, këtë nuk do ta lejonte as NATO-ja, anëtare e së cilës është Shqipëria.

“Ky është një kërcënim por nuk është e mundur të ndodhë”, tha Zaev.

Mëgjithatë, sipas tij, “nëse Shqipëria do të përpiqej të bashkohej me Kosovën, do të humbiste dhjetë vjet dhe do të reduktohet në nivelin e Kosovës”.

Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian miratimin e fillimit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë ende nuk është e qartë nëse ky institucion i BE-së do të miratojë një vendim të tillë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme