Google ADS

Thaçi e bënë këshilltar të dënuarin për krime lufte

15:57 | 6 Qershor 2019
L G

Rrustem Mustafa, i njohur si komandant Remi është emëruar këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi.

Sipas deklarimit të tij të pasurisë ai është emëruar me 14 shkurt të këtij viti, saktësisht një muaj pasi që ai u intervistua nga Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë.

Presidenti Hashim Thaçi, do të këshillohet nga Mustafa që është i dënuar për krime lufte dhe i intervistuar nga gjykata speciale.

Ish-komandanti i zonës operative të Llapit në vitin 2013 si pjesë e “Grupit të Llapit” ishte dënuar për krime të luftës kundër popullatës civile me 13 vjet burgim. Por, Gjykata Supreme i kishte zbutur atij dënimin, në vetëm 4 vjet burg. Në vitin 2016, ai humbi mandatin e deutetit për shkak të konfirmimit të dënimit me burg.

Mustafa si këshilltar i Presidentit, merr rrogë pagë vjetore prej 18 mijë eurove.

Kurse si pasuri në Agjencinë Kundër Korrupsion, ka deklaruar një objekt banimi prej 1 mijë e 600 metrave katror me vlerë prej gjysmë milioni euro. Tre ari tokë në vlerë 9 mijë euro, 10 hektarë tokë të trashëguar tek vlera e të cilës ka shkruar 0.

Mustafa ka deklaruar edhe një veturë 20 mijë euro.

Remi ka deklaruar edhe goxha para të gatshme në bankat, në emër të tij shkruan se ka 10 mijë e 450 euro kursime, bashkëshortja 16 mijë euro, kurse fëmijët e tij posedojnë në banka 63 mijë euro.

Emërimi i Rrustem Mustafës është mbajtur i fshehur që nga muaji shkurt. Mirëpo në një rast tjetër, emërimi i të dënuarit për krime lufte është kritikuar ashpër nga ambasada amerikane.

Sylejman Selimi, pasi u lirua nga burgu si i dënuar për krime lufte, ishte emëruar këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj në shkurt të këtij viti. Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett pati deklaruar se të dënuarit për krime lufte, nuk kanë vend në Qeverinë e Kosovës./Insajderi.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme