Zarif: Të ndalet shitja e armëve për koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite

12:30 | 6 Qershor 2019
Arbresh.info

Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif ka kërkuar ndalimin e shitjes së armëve për koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga llogaria e tij zyrtare në Twitter, Zarif ka kritikuar koalicionin arab të udhëhequr nga Arabia Saudite i cili ofron mbështetje ndaj Qeverisë në Jemen kundër Huthive.

Duke u bërë thirrje vendeve që sigurojnë armë për koalicionin në të cilin përfshihen Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Zarif tha se “shitjet e armëve rezultojnë me vdekjen e popullit në Jemen”.

“Popujt perëndimorë dhe anëtarët e parlamentit duan që Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe t’i japin fund luftës dhe dramës humanitare që po bëjnë kundër Jemenit, por qeveritë e tyre po shesin më shumë armë për krime të mëtejshme të luftës. Propozimet që kemi bërë vazhdimisht për të zgjidhur këtë situatë politikisht janë hedhur poshtë. Ky cikël tashmë duhet të përfundojë”, thekson Zarif.

Jemeni është përfshirë nga një konflikt shkatërrues që nga shtatori i vitit 2014, kur rebelët Huthi morën nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana dhe Hudejden. Ndërsa koalicioni nën udhëheqjen e Arabisë Saudite që nga marsi 2015 e deri tani ofron ndihmë për Qeverinë e Jemenit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme