300 gra në vit me kancer në qafën e mitrës në Maqedoninë e Veriut, vaksinimi të bëhet në shkolla

21:01 | 5 Qershor 2019
Arbresh.info

Maqedonia e Veriut është ndër shtetet e para në Evropë, për nga numri i grave të prekura nga kanceri i qafës së mitrës.

Rreth 300 gra sëmurën çdo vit nga ky kancer vdekjeprurës, ndërsa vetëm rreth 50 prej tyre mund të operohen, sepse tek të tjerat vonë evidentohet sëmundja. Gjinekologët thonë se shkaktar për këtë është vetëdija e ulët e grave për kontrolle të rregullta gjinekologjike dhe mos vaksinimi me vaksinën HPV. Gjinekologu Goran Dimitrov thotë se në vendin tonë viteve të fundit janë vaksinuar vetëm 45 % e qytetarëve kundër sëmundjeve kanceroshkaktuese të HPV. Sipas tij vaksinim duhet të bëhet i obligueshëm nëpër shkolla.

“23-26 në 100 mijë gra. Nëse e krahasojmë këtë me 4-5 gra në 100 mijë në Slloveni ose Finlandë, atëherë e keni të qartë besoj. Kjo nënkupton 300 raste prej të cilave vetëm 50 – 60 mund të operohen, të tjerat janë në stade të larta. Jetën e kanë të shkurtuar, shërimi merr kohë dhe kushton”, deklaroi Goran Dimitrov, doktor në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë.

Vendi ynë këtë vit u bë pjesë e fushatës “Ride4uomen”. Dhjetëra mjekë nga 6 shtete të ndryshme bëjnë xhiro me biçikleta nëpër gjithë Evropën, në shenjë simbolike që ta parakalojnë me shpejtësi kancerin, ndërsa qëllimi është vetëdijesimi i qytetarëve për mbrojtjen nga kanceri në qafën e mitrës. Mjeku Rene Laki nga Austria thotë se kjo sëmundje është problem i madh në Evropë. Sipas tij në Austri vajzat e moshës 12 vjeçare dhe djemtë në moshën 14 vjeçare vaksinohen në shkolla, kështu që, siç tha, deri në vitin 2040 nuk do të ketë më kancer të qafës së mitrës. Ai thotë se vaksinimi në shkolla duhet të praktikohet në çdo vend.

“Në Austri vaksinimi është falas për fëmijët e moshës prej 9 deri në 12 vjet, edhe në Australi është njëjtë, është e obligueshme për të gjithë fëmijët. Ata mendojnë se deri në vitin 2040 kanceri nuk do të ekziston më. Dhe për këtë është xhiroja e jonë nëpër Evropë, për ti mbrojtur gratë tona dhe fëmijët”, u shpreh Rene Laki nga Iniciativa Evropiane “Ride4Women”.

Fushata “Ride4women” është iniciuar nga lidhja evropiane e gjinekologëve. Tashmë 6 vjet ata bëjnë xhiro nëpër Evropë, e në këtë fushatë morën pjesë edhe 4 mjekë nga Maqedonia.

Nga Ministria e shëndetësisë thonë se në vendin tonë nuk ka deficit të vaksinës HPV. Ministri Venko Filipçe

paralajmëroi edhe fushata tjera për tu informuar qytetarët dhe gratë për mbrojtje ndaj kësaj sëmundjeje. Ai theksoi sesa i rëndësishëm është vaksinimi, por nuk përmendi si masë vaksinimin e fëmijëve nëpër shkolla me vaksinën HPV.

“Kemi investuar shuma shtesë për tu rritur buxheti, për tu blerë tip i ri i vaksinës, kundër HPV-së. Në vend të asaj të tanishmes, dyvalentes, do të kemi katërvalente. Domethënë nuk mbron vetëm nga shkaktarët e deritanishëm për kancer por edhe për kondilome që janë beninje dhe mund që në këtë formë të parandalohen. Apeloj që të rritet përfshirja e të vaksinuarve”, potencoi Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Kanceri i qafës së mitrës është një lloj kanceri, i cili zhvillohet në qafën e mitrës së një femre dhe është kanceri i dytë më i zakonshëm te femrat, veçanërisht në vendet në zhvillim./Tv21

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme