Bomba e “Bild”, PD: Rama kërcënon mediat për të mbuluar krimin

20:45 | 5 Qershor 2019
Arbresh.info

Pas përgjimeve të medias prestigjioze gjermane “Bild”, Partia Demokratike ka reaguar sërish, ndërsa thotë se heshtja dhe përdorimi politik i Prokurorisë për të kërcënuar mediat nuk e shpëtojnë dot kryeministrin, Edi Ramën për të mbuluar krimin e blerjes së pushtetit

Në qëndrimin e saj, PD-ja thekson se kryeministri Edi Rama duhet të dorëhiqet, ndërsa nuk kursen kritikat ndaj kryeprokurores së përkohshme Arta Marka dhe Donika Prelës. Sipas saj, Marku dhe Prela janë e njëjta dorë me grupin e “Avdylajve”.

Selia blu thotë se kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të hesht, ashtu si bën në të gjitha rastet kur kapet në shkeljet e kryera, ndërsa inkurajon dhe fton prokurorët të mos i binden urdhrave politikë.

Deklarata e PD:
Në vend që, sot, politikanët e kapur në shitblerje votash me krimin, të ishin me pranga në duar; në vend që Kryeministri të jepte dorëheqjen dhe të vihej në dispozicion të hetimit për zbardhjen e krimeve zgjedhore; Edi Rama urdhëron shantazhimin dhe kërcënimin ndaj gazetës gjermane BILD dhe mediave shqiptare që nxorrën në dritë krimin zgjedhor.

Kërcënimet e shërbëtoreve të tij provojnë se Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në krim Vangjush Dako, Astrit Avdylaj, garantet e mosndëshkimit të këtyre krimeve elektorale, Arta Marku dhe Donika Prela, janë e njëjta dorë kriminale, pjesë e të njëjtit grupi të strukturuar kriminal që:

– vjedh votat,dhunon votuesit,manipulon hetimet dhe kërcënon mediat.

Edi Rama, përfituesi nga blerja e votave prej bandës së Avdylajve kërkon të blejë kohë, duke urdhëruar prokurorinë e kontrolluar prej tij, të artikulojë teza të rrezikshme për demokracinë në vend dhe lirinë e medias.

Edi Rama vetë po hesht, siç bën gjithmonë, kur kapet me fakte në krim. Këtë rradhë, as heshtja, as shërbëtoret e tij në prokurori, nuk mund të mbulojnë dot të vërtetën që tani ka marrë përmasa europiane: Edi Rama është një Kryeministër ilegjitim, që e ka shndërruar Partinë Socialiste në një strukturë të kriminalizuar, në shërbim të pushtetit të tij personal. Partia Demokratike inkurajon gazetarët të vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre për të informuar publikun mbi të vërtetën e tmerrshme se Shqipëria drejtohet nga krimi i organizuar.

Partia Demokratike inkurajon çdo prokuror të mos i bindet urdhrave politikë të një Kryeministri të kriminalizuar apo veglave të tij në drejtimin e Prokurorisë. Vënia përpara drejtësisë e pushtetarëve që kanë bashkëpunuar në zgjedhje me krimin e organizuar, është shërbimi më i madh ndaj interesit publik. As heshtja, as përdorimi i Prokurorisë, nuk i jep dot më shumë jetë kufomës politike të Edi Ramës. Asgjë dhe askush nuk e shpëton dot atë dhe pushtetin e tij të inkriminuar./bw

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme