Google ADS

Stoltenberg: Gati të presim Maqedoninë e Veriut në NATO

08:36 | 4 Qershor 2019
V. S.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili së bashku me Këshillin e Atlantikut të Veriut ishin në një vizitë dyditore në Shkup, theksoi dje vendosmërinë për integrimin e shpejtë të Maqedonisë së Veriut në Aleancë.

Zoti Stoltenberg shprehu mirënjohje për reformat e arritura ndërsa tha se ato duhet të vazhdojnë. Ai tha se Marrëveshja e Prespës duhet të shpërbejë si model për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rajon.

Sekretari Stoltenberg tha se janë të dukshme përfitimet e Maqedonisë së Veriut nga afrimi në NATO sepse investimet në vend po rriten dhe se kjo tregon se siguria mundëson bazën e mirëqenies, sipas tij. Ai nënvizoi nevojën për vazhdimin e reformave në shërbimin e inteligjencës, në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë së këtij vendi.

“Vizita jonë dërgon një mesazh shumë të qartë Ne jemi të gatshëm të ju mirëpresim në familjen e NATO-s”, tha Sekretari Stoltenberg.

Ndërkohë, kryeministri maqedonas Zoran Zaev arritjet që i ka shënuar vendi drejt integrimit në NATO, i quajti merita të të gjithë politikanëve dhe qytetarëve që nga pavarësia e vendit e këndej:

“Rezultat i punës së të gjitha institucioneve dhe profesionistëve të të gjitha fushave”.

Ai theksoi se anëtarësimi në NATO është vendim strategjik i Maqedonisë së Veriut i vërtetuar përmes rezolutës në parlament qysh në vitin 1993.

Kryeministri Zaev bëri të ditur se që prej marrjes së ftesës për anëtarësim në Aleancë, të ardhurat e brendshme bruto janë shtuar rreth 5.5 përqind.

“Ishte minus 1.8 përqind me recesion të thelluar politik dhe ekonomik”, tha zoti Zaev duke nënvizuar se investimet e huaja kanë shënuar një rekord të ri prej 625 milionë Eurosh. Që i bie tre herë më të larta nga mesatarja e tetë vjetëve të fundit”, tha ai.

Qeveria e Maqedonsë së Veriut është e vendosur që të rrisë 0,2 përqind buxhetin për mbrojtjen dhe ushtrinë. Edhe në të ardhmen do të bashkëpunojmë me vendet fqinje si aleatë në kuadër të NATO-s; besojmë në politikën e dyerve të hapura të NATO-s”, u shpreh kryeministri maqedonas.

Shkupi shpreson se në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në dhjetor në Londër do të bëhet anëtar fuqiplotë i Aleancës veri-atlantike, por zoti Zaev thotë se nëse s’bëhet në dhjetor, “atëherë përfundimisht në fillim të vitit të ardhshëm”.

Zaev nuk dyshon se Turqia e konsideruar si vend mik, do ta vonojë ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO për shkak të hatërmbetjeve eventuale lidhur me disa persona të cilët Ankaraja i cilëson si gylenistë ose pjesëtarë të organizatës Feto e që qëndrojnë dhe punojnë në Maqedoni./TCH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme