Koalicioni parazgjedhor LDK-LVV është i pamundshëm

08:15 | 4 Qershor 2019
arbresh.info

Për dallim nga qeveria Haradinaj, ajo e ish-kryeministrit Isa Mustafa ishte përballur me shumë protesta nga opozita, kryesisht nga Vetëvendosja, partia me të cilën tani kanë konfirmuar se mund të krijojnë një koalicion.

Ditë më parë i pari I LDK-së ishte takuar me liderët e dy partive tjera opozitare, me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Socialdemokrate, për të arritur një bashkëpunim për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Edhe pse janë deklaruar të hapur për koalicione për Lëvizjen Vetëvendosje, LDK është përcaktuar që nuk do të heqë dorë nga posti i kryeministrit të Kosovës.

Arbresh.info ka kontaktuar me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për të ditur nëse do të negoicionin postin e kryeministrit, por gjatë tërë ditës kanë qenë të paqasshëm.

E nga analistët politik në vend, ky bashkëpunim vlerësohet si interes personal.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Fatmir Sheholli në një prononcim për arbresh.info thotë se shumë shpejt partitë politikë harrojnë premtimet kur thonë se nuk bëjmë koalicion me këtë apo atë.

“Secila parti politike si në pozitë ashtu edhe në opozitë i ka kalkulimet e saja. Praktika në Kosovë na ka mësuar që kur bëhet fjalë për formimin e qeverisë disi partitë politike shumë shpejt i harrojnë betimet parazgjedhore se ‘për shembull nuk bëjmë koalicion me këtë apo atë parti’. Sidoqoftë, LDK është parti e cila përbën boshtin e shtetësisë se Kosovës dhe do të shohim se kush mund të jetë aleate i saj parazgjedhor. Nëse hipotetikisht në garë parazgjedhore hyjnë LDK dhe VV kurse në taborin tjetër kemi PDK, AAK dhe Nisma dhe eventualisht kemi edhe AKR, Alternativa e parti të tjera te cilat aktualisht janë jashtë Parlamentit, mund te kemi një gare shume interesante”, vlerëson Sheholli.

Ndërsa analisti tjetër politik, Leon Duhanaj, thotë se bashkëpunimin mes VV dhe LDK nuk e sheh si frytdhënës, pasi ai këto dy parti i sheh si dy pole të kundërta.

 “Çdo bashkëpunim politik, i cili ka për qëllim përmirësimin e gjendjes në vend është i mirëseardhur. Megjithatë, më duhet thënë se nëse një bashkëpunim bëhet për interesin e vendit, atëherë duhet me qenë i sinqertë dhe transparent mes palëve bashkëpunuese. Unë nuk e shoh një mundësi reale, që ky bashkëpunim kishte me qenë edhe frytdhënës. Kjo për arsye se LDK dhe LVV, janë dy pole të kundërta dhe bashkëpunimi mes tyre është i pamundur”, tha Duhanaj.

Ai gjithashtu ka thënë se për LDK-në subjekti më armiqësorë në vend është Vetëvendosje.

“Për LDK-në nuk besoj që ka ndonjë subjekt tjetër vendor e që është me armiqësor ndaj saj se VV. Këtë e ka provuar LDK në vazhdimësi. Këtë e ka provuar dhe e njeh edhe opinioni. Ta rrëzosh qeverinë për interesa pushteti, nuk është synim i cili i bën mirë vendit e as që garanton rritje të mbështetjes elektorale. Pos kësaj, nëse LDK shkon me një listë me VV, atëherë mos të befasohet kur në Kuvend të ketë shumicën e deputetëve me përkatësi politike nga VV” tha Duhanaj për arbresh.info

Ndërsa shumë kritikues ndaj këtij bashkëpunimi u tregua analisti Muhamet Kelmemndi, duke thënë se një koalicion i tillë është I dëmshëm, pasi Albin Kurti dhe Isa Mustafa, kanë interesa të ndryshme për dallim nga njëri-tjetri.

“Albini ka interesa të tjera nga Isa Mustafa”, është shprehur Kelmendi.

Edhe pse më shumë se tre vjet, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte një qëndrim krejt të kundërt për Mustafën, ai tani beson se një koalicion me LDK-në, do e shpëtoj Kosovën./arbresh.info/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme