Gjatë një vizite në Shqipëri, e cila do të kryesojë OSBE-në në vitin 2020, Kryetari i Radhës i OSBE-së për këtë vit, ministri i Jashtëm dhe për Europën i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, përsëriti, sot, në Tiranë, përkushtimin e Sllovakisë për të mbështetur vendin në përgatitjet për Kryesinë e OSBE-së në vitin 2020.
“Të pasurit e Kryesisë së OSBE-së është sfiduese, por, njëkohësisht, është politikisht shpërblyese dhe një mundësi e vërtetë për vendin tuaj për të dëshmuar udhëheqje dhe për të treguar pjekurinë tuaj dhe përparimin që keni bërë”, tha Lajčák.
Kryetari i Radhës diskutoi hapa konkretë përgatitorë, në takimet me zyrtarët më të lartë të vendit, përfshirë Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, Ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, si dhe me përfaqësues të opozitës.
“Nga përvoja jonë, si Kryesi e vitit 2019, mund të themi se mbështetja politike e fortë në të gjitha nivelet është e një rëndësie themelore për çdo Kryesi të suksesshme”, nënvizoi ai.
Duke folur për arritjet e Shqipërisë gjatë viteve të shkuara, Lajčák theksoi përparimin e bërë në zbatimin e axhendës së reformave strategjike të vendit, forcimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe lirisë së medies, si dhe punën për arritjen e objektivave afatgjatë. Ai i nxiti partnerët e tij të vijojnë të ecin në këtë rrugë reformash, në mënyrë të efektshme dhe të qëndrueshme, si dhe t’i trajtojnë sfidat rajonale si korrupsioni, krimi i organizuar apo migrimi i paligjshëm në mënyrë bashkëpunuese, të plotë dhe rajonale.
Duke theksuar partneritetin e fortë Shqipëri-OSBE, në përputhje me nevojat e popullit shqiptar, veçanërisht në reformimin e sistemit zgjedhor, forcimin e gjyqësorit, rritjen e profesionalizmit të forcave të policisë, rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe në promovimin e bashkëpunimit të të rinjve në rajon, Kryetari i Radhës i OSBE-së tha: “Në rajon, OSBE-ja u rrit bashkë me vendet dhe u përshtatet vazhdimisht nevojave të tyre”.
Sa u takon protestave të kohëve të fundit, Lajčák tha qartë se të dëgjuarit e zërave kritikë ka rëndësi kyçe në një shoqëri demokratike. “Megjithatë, dallimet duhet të debatohen në parlament nga të gjithë përfaqësuesit, përfshirë opozitën, dhe jo në rrugë”, tha ai.
“Dhuna dhe bojkotet ndërpresin çdo mundësi për dialog, pra çdo mundësi për të gjetur gjuhën e përbashkët, si edhe dëmtojnë përparimin dhe imazhin publik të Shqipërisë”, vijoi Kryetari. “Demokracia kërkon sistemin e kontrollit dhe balancës dhe një opozitë funksionale ka një rol kyç për të luajtur në këtë drejtim. Pjesëmarrja në institucionet demokratike është e vetmja rrugë e ligjshme drejt pushtetit politik”.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Kryetari i Radhës i OSBE-së u takua me përfaqësues të shoqërisë civile, për të dëgjuar prej tyre lidhur me situatën aktuale në vend, përparimin e bërë, si dhe për përpjekjet e mëtejshme që duhen për reformat.
Lajčák pati mundësinë të takohej edhe me stafin e OSBE-së në Shqipëri dhe të vlerësonte veprimtarinë e OSBE-së në terren. Ai e lavdëroi punën e tyre me autoritetet shqiptare, gjatë 22 viteve të fundit./ATSH/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...