Shënohet rritje e lehtë në industrinë prodhuese

14:17 | 2 Qershor 2019
A Z

Industria prodhuese në Kosovë ka shënuar një rritje të lehtë këta gjashtë muajt e fundit. Administrata Tatimore e Kosovës dhe Fondi i Kursimeve Pensionale konfirmojnë se këto gjashtë muajt e fundit është shënuar rritje kur të bëjmë me qarkullimin e të hyrave tek aktiviteti i bizneseve dhe rritje e numrit të punësuarave që paguajnë kontributet pensionale.

Këto rritje janë shënuar në kohën kur Kosova po zbaton masën 100 për qind të tarifës doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, e cila sipas disa përllogaritjeve, ka ndikuar në rritjen e prodhimtarisë vendore.

Por, asnjëri nga zyrtarët e këtyre dy institucioneve shtetërore nuk e konfirmojnë se taksa ka ndikuar në këtë rritje.

Në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), vërehet një rritje e qarkullimit në industrinë prodhuese dhe përpunuese. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga ATK-ja, thuhet se prej muajit nëntor të vitit 2017 deri në muajin mars të vitit 2018, vlera e qarkullimit të industrisë prodhuese ka qenë mbi 351 milionë euro, kurse në periudhën e njëjtë, nga nëntori i vitit 2018 deri në mars të vitit 2019 (periudha e taksës doganore) qarkullimi është rritur në 536 milionë euro.

Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, i bie që mbi 185 milionë euro është rritur vlera e deklaruar.

Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, thotë se ka rritje të qarkullimit, por nuk e ndërlidhë këtë domosdo me efektet e taksës doganore.

“Nga të dhënat e fundit që kemi ka një rritje të lehtë, por nuk kemi bërë analizë të tillë se a ka rezultuar rritja nga taksa 100 për qind apo është rezultat i zhvillimit normal të biznesit. Pra, ne mund të themi se në bazë të të dhënave ka rritje, por jo të konfirmojmë se rritja është efekt i taksës 100 për qind”, tha Murtezaj.

Edhe në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, është rritur numri i llogarive apo kontribut-paguesve në gjashtë mujorin e fundit.

Në fund të muajit prill të vitit të kaluar, numri i llogarive aktive ka qenë 282 mijë, ndërkaq në muajin e prill të këtij viti numri i llogarive aktive ka arritur në rreth 300 mijë, çka lë të nënkuptohet se ka një rritje prej 16 mijë kontribut-paguesve.

Jeton Demi, zëdhënës në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se një ndër arsyet e rritjes së kontribut- paguesve mund të jetë edhe zbatimi taksës.

“Kemi një bazë të zakonshme të rritjes, në ekonominë në zhvillim, kjo gjithsesi ndodh. Duke qenë se çdo vit kemi rritje të prodhimit të brendshëm bruto 3-4 për qind, normalisht se do të ketë edhe rritje të numrit të të punësuarve. Përveç kësaj ne kemi një rritje jashtë kësaj logjike, kemi rritje të dukshme, e që mund të jenë disa faktorë; një për shkak të rritjes së vetëdijesimit të kontribut-dhënëseve, por edhe kontribut-paguesve”, tha ai.

“Përveç kësaj, rritja e prodhimit të brendshëm mund të jetë edhe nga efekti i taksës, por gjithsesi shton nevojat e kapacitetit prodhues vendor për të pasur më shumë punëtorë. Pra, nuk mund të ndajë në mënyrë specifike peshën e secilit faktorë, por janë disa, e ndër to është edhe efekti i taksës”, tha Demi.

Për efektet e taksës në prodhimin vendor disa shoqata ekonomike kanë realizuar hulumtime.

Një raport i Institutit për Studime të Avancuara, GAP të publikuar javë më parë, është vënë në pah se prodhuesit vendorë nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë mundësitë e taksës siç është menduar.

Në anën tjetër hulumtimet e Aleancës Kosovare të Biznesit dhe Klubi i Prodhueseve të Kosovës, tregojnë se janë rritur kapacitetet prodhuese dhe është rritur numri i të punësuarve në industrinë prodhuese pas vendosjes se taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Qeveria e Kosovës më 21 nëntor të vitit të kaluar ka vendosur taksë 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina. Ditë më parë Beogradi zyrtarë ka paralajmëruar se do të ndërmerr masa ekonomike ndaj Kosovës nëse shfuqizohet taksa.

Pezullimin e taksës në vazhdimësi e kanë kërkuar nga Prishtina zyrtare, edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është bllokuar që nga vendosja e taksës.

Për mbajtjen në fuqi të taksës, Qeveria e Kosovës është kritikuar edhe nga Komisioni Evropian, sipas të cilit ky vendim po e mbanë atë përgjegjëse për pengimin e tregtisë së lirë, si një prej parimeve kryesore të BE-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme