Google ADS

Haradinaj: Jam thellë i bindur se do të dimë të ecim rrugës së heronjve dhe do t’i nderojmë ata së bashku

13:50 | 31 Maj 2019
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në 20-vjetorin e rënies së Heroit të Kosovës, Xhemajl Fetahaj dhe bashkëluftëtarit të tij Milazim Shala, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes 2019”, që u organizua nën patronatin e Kryeministrit.

Duke evokuar kujtime nga e kaluara, kryeministri Haradinaj tha se janë mbledhur sot për të shprehur respektin për bashkëluftëtarët shumë të zot, heronjtë tonë që i bashkoi lufta për liri, që i bashkoi Brigada emblemë  138 “Agim Ramadani”, dhe që i bashkoi epopeja e UÇK-së në Koshare, epope e cila siç tha kryeministri, vërtet i dha dimension tjetër luftës sonë për liri.

“Secili nga ne mundohemi të nxjerrim në dritë të vërtetën për këta bashkëluftëtarë, sepse kemi çfarë të tregojmë për këta heronj të shquar dhe t’ua themi brezave”, tha kryeministri Haradinaj.

Në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj  tha se sa ipërket familjes Fetahaj në Raushiq, është një familje që ka tradita të atdhedashurisë për atdheun dhe për kombin e që është e gjatë, ndër breza.

“Është një familje tipike shqiptare e çmuar dhe e respektuar nga të gjithë dhe nuk është aspak çudi që Xhemajli dhe gjithë familja janë ndodhur në vijat e para të frontit me fillimin e luftës kombëtare në Dukagjin, fillimisht në Gllogjan, pastaj zonat përreth”, shtoi kryeministri Haradinaj, duke theksuar se është me të vërtet një rast i çmuar dhe mirë i paraqitur se si një familje shqiptare me atdhedashuri të ngulitur në vete nëpër dekada e breza, menjëherë kur është shfaqur nevoja për t’i dalë zot atdheut, janë mobilizuar vet, kanë shkuar për furnizim dhe kanë ndihmuar furnizimin e vendit të vet, të atyre trevave dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, duke përkrahur vijat e para të luftës.

“Bëhet fjalë për ata që nuk kanë pritur që dikush t’i ftojë në luftën për liri, për të drejtën e atdheut, por ishin vetë aty”, tha kryeministri.

Duke folur për periudhën e luftës, kryeministri Haradinaj tha se Baballoqi ka përjetuar intensitetin më të madh të luftimeve menjëherë në fillimet e vitit ’98, dhe gjitha popullata e atij vendi pësoi goditjet dhe vuajtjet e para.

“Nuk është rastësi që një djalë nga Baballoqi ka ndodhur krah për krah me Agimin, Saliun, Xhemajlin dhe me gjithë të tjerët përballë armikut, duke mos hequr dorë nga e drejta e tyre për liri”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, në fjalën e tij para të pranishmëve, tha se është nder që çdo herë të bëhemi bashkë dhe të nderojmë heronjtë tanë, ta nderojmë rrugën e tyre deri në liri dhe të shprehim respekt jo vetëm për aktin e flijimit të tyre, por për të gjithë kontributet e çmuara që e bëjnë popullin tonë kudo që është që të mburret për rrugën tonë deri në liri.

“Ndërtimi i lirisë, forcimi i shtetit tonë është një proces, kërkon sfida, njerëz të sakrificës, njerëz që kanë dhënë besë dhe kanë besnikëri ndaj bindjeve për liri, për atdhe dhe për shtet dhe unë jam thellë i bindur se do të dimë të ecim rrugës së heronjve dhe do t’i nderojmë ata përjetësisht”, tha kryeministri Haradinaj.

Nga një fjalë në këtë akademi përkujtimore e mbajtën edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani” foli ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Në emër të familjarëve, të pranishmit i përshëndeti Erëza Fetahaj, vajza e Heroit, Xhemajl Fetahaj./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme