Greqia kritikon Shqipërinë për moslejimin e kandidimit të Fredi Bejlerit: Nuk hyni në BE me këto metoda!

19:18 | 30 Maj 2019
Arbresh.info

Ministria e Jashtme greke ka “kërcënuar” Shqipërinë duke iu adresuar rastit të Fredi Bejlerit, kandidatit të OMONIA-s për bashkinë e Himarës, i cili u refuzua për të garuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në kushtet kur ai tashmë është nën hetim për masakrën e Peshkëpisë.

Përmes një njoftimi zyrtar, Athina shkruan se metodat për të anulluar kandidaturën e Bejlerit janë shqetësuese dhe se Shqipëria duhet “që të kthehet në rrugën e përparimit… në mënyrë që procesi i saj i pranimit të përparojë” një fjali kjo e cila nënkupton atë që shpesh herë është paralajmëruar nga Greqia, se kjo e fundit do të vendosë veton për hapjen e negociatave Shqipëri- BE.

REAGIMI:

Greqia është duke punuar për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë dhe mbështet procedurën për anëtarësimin në Bashkimin Europian, në kushtet që janë zbatuar për të gjitha vendet e anëtarësuara, duke përmbushur të gjitha kërkesat. Siç është bërë e qartë në raportin e Komisionit Europian, respektimi i të drejtave të minoritetit grek është i lidhur drejtpërdrejt me perspektivën europiane të Shqipërisë dhe është pjesë integrale e pesë prioriteteve kryesore për hapjen e negociatave të vendit për anëtarësim në BE, përmbushja e të cilave do të trajtohet nga Këshilli i Europës. Në këtë kontekst, ne presim garanci për të drejtat e minoritetit në të gjithë Shqipërinë, një masë që Shqipëria kishte ndërmarrë për ta miratuar deri në Maj 2018, dhe zbatimin e ligjit të pronësisë për anëtarët e minoritetit.

Së fundmi, po vëmë re metoda që synojnë të anulojnë kandidaturën e kreut të OMONIA-s Fredi Bejleri për Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e ardhshme vendore. Këto veprime shkelin të drejtën e përfaqësimit politik të minoritetit grek për zgjedhjet në Himarë. I bëjmë thirrje Shqipërisë që të kthehet në rrugën e përparimit dhe jo të bëjë prapa, në mënyrë që procesi i saj i pranimit të përparojë“.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme