Tirana nuk është vetëm kryeqytet, por edhe epiqendra e argëtimit dhe çlodhjes në Shqipëri. Edhe për vitin 2017, Tirana mban rekordin e shpenzimeve në kategorinë art, argëtim dhe çlodhje, me 4.8% të totalit të shpenzimeve të këtij qarku. Vlera e shtuar bruto është ajo çka prodhon apo shpenzon ekonomia në një vit, duke përjashtuar taksat dhe subvencionet.
Pesha që zënë artet, argëtimi dhe çlodhja në totalin e ekonomisë së vendit ka shënuar rritje. Sipas INSTAT, artet, argëtimi dhe kultura kontribuuan me 3% në vlerën e shtuar bruto të ekonomisë, nga 2.47% që kishte kontribuar në 2015-n. Në vlerë absolute, shpenzimet për argëtim ishin 40.6 miliardë lekë, ose rreth 325 milionë euro (sipas të dhënave të përpunuara nga ‘Monitor’, bazuar në vlerën totale të shtuar bruto, të raportuar nga INSTAT).
Në degën e ekonomisë art, argëtim dhe kulturë përfshihen një sërë aktivitetesh, shfaqjet artistike deri tek aktivitetet e lojërave të fatit dhe basteve, nga aktivitetet në muze dhe biblioteka te palestrat dhe aktivitetet e tjera çlodhës. Pjesa më e madhe e kësaj shume të shpenzuar ka shkuar për lojërat e fatit (kompanitë kanë raportuar rreth 130 milionë euro në vit të ardhura), aktivitet ky që nga 1 janari i këtij viti është tashmë i ndaluar me ligj.
Vetëm në Tiranë, shpenzimet për argëtim llogariten në rreth 210 milionë euro në 2017-n, ose gati 60% e shumës që shpenzohet për këtë qëllim në të gjithë vendin.
Po cilat janë qytetet e tjera më qejflie?
Renditja nuk ka ndryshuar shumë në krahasim me vitet e mëparshme. Edhe pse mbahen për “kurnacë”, kur vjen puna te argëtimi gjirokastritët nuk e shtrëngojnë dorën. Kjo degë e ekonomisë zinte 3.2% në totalin e vlerës së shtuar të ekonomisë së qarkut. Pesha e kësaj dege të ekonomisë në Qarkun e Gjirokastrës shënoi rritje krahasuar me vitin 2015, ku zinte vetëm 2.6% të totalit të vlerës së shtuar.
Qarku i Korçës renditet i treti. Korça është shndërruar në vitet e fundit si destinacion kryesor i turizmit kulturor, me vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj. Vlera e shtuar bruto nga kjo degë e ekonomisë në Qarkun e Korçës për 2017-n përllogaritet 2.9%. Aktiviteti në këtë degë të ekonomisë ka pasur tendencë rritëse edhe në Korçë, pasi në 2015-n vlera e shtuar bruto përllogaritej 2.4%.
Por ndryshe nga qarqet e mësipërme, vlonjatët kanë kufizuar qejfet në 2017-n. Vlera e shtuar bruto për këtë degë të ekonomisë shënoi 1.9% të totalit, nga 2.3% që ishte në 2015-n. Ndonëse Qarku i Vlorës është një zonë turistike e frekuentuar, njerëzit kanë mbledhur dorën me shpenzimet për art, argëtim dhe çlodhje.
Vendi i Vlorës është zëvendësuar nga Durrësi dhe Lezha, të dyja destinacione turistike. Në 2015-n, Durrësi renditej në vend të shtatë për sa i përket peshës së argëtimit në ekonominë totale të qarkut, ndërsa në 2017 kapërceu tre vende për t’u renditur i katërti. Qarqet me shpenzimet më të ulëta për argëtim janë Kukësi me 1.6%, Elbasani me 1.5%, Berati me 1.3% dhe Fieri me 0.9%.
Të fundit e klasës në argëtim mbeten dibranët. Në Qarkun e Dibrës, dega e ekonomisë “arte, argëtim dhe çlodhje” shënoi kontributin më të ulët në vlerën e shtuar bruto të këtij qarku, me vetëm 0.6%./Monitor
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...