Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka thënë se vetëm institucionet publike të arsimit të lartë mund të ofrojnë programe studimi që çojnë në kualifikimin e një mësimdhënësi për t’u punësuar në një shkollë.
Ai këtë sqarim e ka bërë në Facebook pasi është raportuar në media se askush nga kolegjet private nuk mund të bëhet mësimdhënës.
Ky është sqarimi i plotë i Bajramit:
Të dashur miq,
Sot në portale ishin publikuar shkrime të ndryshme rreth sqarimit tim në Komisionin Parlamentar për Arsim, që institucionet private të arsimit të lartë në Kosovë, nuk mund të ofrojnë programe studimi që qojnë në kualifikime për mësimdhënës për t’u punësuar në arsim parauniversitar.
Në fakt është e habitshme për mua pse ky sqarim përbën lajm, kur kemi parasysh që kjo çështje është e njohur dhe rregulluar që nga viti 2011 me Ligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, i miratuar në vitin 2011, i cili është në fuqi, dhe i cili përcakton qartë që vetëm institucionet publike të arsimit të lartë mund të ofrojnë programe studimi që qojnë në kualifikimin e një mësimdhënësi për t’u punësuar në një shkollë. Kushdo që ka dilema, këtë mund ta lexon në nenin 16, paragrafi 5 (http://masht.rks-gov.net/…/…/2-ligji-per-arsimin-e-larte.pdf).
Nga viti 2011, institucionet private të arsimit të lartë nuk ofrojnë fare programe studimi për përgatitje të mësimdhënëseve. Me hyrjen në fuqi të ligjit në vitin 2011, asnjë institucion privat i arsimit të lartë nuk është akredituar për të ofruar programe të edukimit që qojnë në përgatitjen e kuadrove për arsim parauniversitar. Praktika të tilla mund t’i gjeni edhe në shumicën e vendeve të zhvilluara të Evropës, ku përgatitja e kuadrove për mësimdhënës të arsimit parauniversitar konsiderohet interes nacional dhe mbrohet me ligj.
Ligji është i qartë në këtë çështje, ashtu si besoj e kanë të qartë këtë çështje të gjitha institucionet private të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.
Dëshiroj të sqaroj që lidhur me këtë çështje të përcaktuar me ligj, kemi pikëpamje dhe përkushtim të përbashkët me Kryeministrin dhe Zëvendëskryeministrin. Lajm i publikuar sot, për gjoja mospërputhje të qëndrimeve mes nesh është manipulues. Këto qëndrime të Kryeministrit dhe Zëvendëskryeministrit janë dhënë në prill të vitit 2014 dhe nuk kanë asnjë ndërlidhje me sqarimin tim dhënë Komisionit Parlamentar për Arsim me 22 shtator 2015.
Në fund, sqaroj që të gjithë të diplomuarit në programet e akredituara të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë janë të barabartë. Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështet fuqishëm zhvillimin dhe konkurrencën e barabartë ndërmjet arsimit të lartë publik dhe privat, gjithmonë në përputhje me kornizën ligjore në fuqi për arsimin e lartë.
Parakusht kyç për cilësi në arsimin e lartë është zbatimi i standardeve ligjore.
Me respekt,
Arsim Bajrami
Vdekja e një punëtori në Prizren, arrestohen tre menaxherët ...
Pacolli uron një javë të mbarë: Qofshi gjithmonë të lumtur d...
Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojm...
Vetplagoset me armë zjarri në person në Gllogoc
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...